Laboratori i Shkencave Sociale

Laboratori i Shkencave Sociale në Universiteti Publik “Kadri Zeka” përfaqëson një investim strategjik në forcimin e kapaciteteve kërkimore, akademike dhe ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave Sociale. Laboratori është themeluar në fillim të vitit 2025 me propozimin e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe me miratimin e Senatit dhe Këshillit Drejtues të UKZ-së, si pjesë e vizionit institucional për modernizimin e kërkimit shkencor dhe avancimin e mësimdhënies universitare.

Pas një investimi të rëndësishëm nga kompania TELKOS, e cila mori përsipër rregullimin e hapësirave dhe pajisjen e tyre për funksionalizimin e plotë të laboratorit, më 2 tetor 2025 u përuruan zyrtarisht hapësirat e punës së Laboratorit të Shkencave Sociale të UKZ-së. Ky investim krijoi kushtet infrastrukturore dhe teknologjike për zhvillimin e aktiviteteve kërkimore bashkëkohore.

I konceptuar si një qendër kërkimi shoqëror, laboratori shërben si ambient praktik për studentët, stafin akademik dhe studiuesit, duke mundësuar zbatimin e metodave kualitative dhe kuantitative, përfshirë intervistat e thella, fokus-grupet, analizën e përmbajtjes, anketimet me pyetësorë të strukturuar dhe analizat statistikore. Ai krijon mundësi për analizë të të dhënave të mbledhura në terren dhe për zhvillimin e aftësive kërkimore përmes përdorimit të mjeteve digjitale bashkëkohore.

Një dimension i rëndësishëm i Laboratorit të Shkencave Sociale është bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ndërinstitucional. Laboratori shërben si platformë për realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore me universitete partnere ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të programeve evropiane dhe nismave akademike të mobilitetit. Përmes këtyre bashkëpunimeve, studentët dhe stafi akademik përfshihen në hulumtime krahasuese, shkëmbime akademike dhe aktivitete shkencore me dimension ndërkombëtar.

Po ashtu, laboratori funksionon si një hapësirë integruese për bashkëpunim me stakeholder-ë lokalë dhe kombëtarë, duke përfshirë institucionet publike, komunat, organizatat e shoqërisë civile, sektorin privat dhe mediat. Ky bashkëpunim mundëson zhvillimin e hulumtimeve të bazuara në nevoja reale shoqërore dhe kontribuon në formulimin e politikave publike dhe sociale të mbështetura në evidencë shkencore.

Laboratori synon integrimin gradual të softuerëve të avancuar të përpunimit të të dhënave dhe teknologjive inovative, përfshirë aplikime të inteligjencës artificiale, në përputhje të plotë me parimet e etikës kërkimore dhe integritetit akademik. Një theks i veçantë i kushtohet përfshirjes aktive të studentëve në hulumtime empirike reale, të realizuara nën mentorimin e stafit akademik, veçanërisht në fushat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Evropiane.

Laboratori i Shkencave Sociale është më shumë sesa një hapësirë fizike: ai përfaqëson një platformë kërkimi, bashkëpunimi dhe dialogu, përmes së cilës Fakulteti i Shkencave Sociale dhe UKZ forcojnë rolin e tyre si institucione aktive, kritike dhe kontribuuese në zhvillimin e shoqërisë dhe në ndërtimin e politikave publike të bazuara në evidencë shkencore.

 

PROJEKTET HULUMTUESE

Laboratori i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka inicuar dhe realizuar dy projekte kërkimore me rëndësi akademike dhe shoqërore, të cilat synojnë të gjenerojnë të dhëna empirike dhe të kontribuojnë në zhvillimin e politikave dhe diskursit publik në Kosovë. Në këto projekte kanë marrë pjesë profesorë dhe asistentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, studentë të programit MNSE, si dhe nxënës maturantë të shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit, duke krijuar një model gjithëpërfshirës me stakeholders.

Të dhënat për të dy projektet janë mbledhur tashmë përmes një qasjeje metodologjike të kombinuar, e cila integron metodat kuantitative dhe kualitative të hulumtimit shkencor. Procesi i hulumtimit ka përfshirë përdorimin e pyetësorëve të strukturuar dhe intervistave të drejtpërdrejta ndërsa analiza e të dhënave është realizuar përmes teknikave statistikore dhe analizës tematike. Prezantimi publik i rezultateve pritet të realizohet së shpejti, duke ofruar rekomandime konkrete dhe kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e politikave dhe debatit shoqëror. Projektet hulumtuese janë mbështetur financiarisht nga Këshilli Drejtues I UKZ-së dhe kompania TELKOS.

Projekti 1: Preferencat turistike të të rinjve në Kosovë

Ky projekt hulumtues synon të analizojë preferencat turistike të të rinjve në Kosovë, me fokus të veçantë në destinacionet evropiane, faktorët që ndikojnë në këto zgjedhje dhe rolin e rrjeteve sociale në formësimin e tyre. Përmes një qasjeje të kuantitative, hulumtimi mbledh të dhëna nga të rinjtë përmes pyetësorëve, duke ofruar një pasqyrë mbi trendet bashkëkohore të udhëtimit, motivimet kulturore dhe ndikimin e mediave digjitale. Rezultatet e pritshme kontribuojnë në zhvillimin e politikave rinore, edukative dhe turistike, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për potencialin e turizmit si përvojë sociale dhe kulturore.

Projekti 2: Distanca sociale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe ndikimi në dialogun Kosovë–Serbi

Ky projekt trajton një nga çështjet më të ndjeshme shoqërore dhe politike në Kosovë: distancën sociale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe ndikimin e saj në procesin e dialogut Kosovë–Serbi. Hulumtimi synon të vlerësojë nivelin e kësaj distance, faktorët që e ndikojnë atë dhe dallimet ndërbreznore në qëndrimet ndaj dialogut politik dhe marrëveshjeve të mundshme. Duke përdorur metoda empirike, përfshirë pyetësorë dhe intervista të shkruara dhe të drejtpërdrejta, projekti ofron të dhëna të bazuara në evidencë për të kuptuar më mirë barrierat sociale ndaj bashkëjetesës dhe paqes. Gjetjet e studimit synojnë të kontribuojnë në diskursin publik, në hartimin e politikave dhe në nxitjen e dialogut shoqëror dhe ndërinstitucional.