Fakulteti Juridik

Fakulteti Juridik në Gjilan ka filluar të funksionojë më 1 tetor 2010, përkatësisht në vitin akademik 2010/11, si degë e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Që nga 1 tetori 2013, respektivisht viti akademik 2013/2014, Fakulteti Juridik funksionon në kuadër të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan.

Në Fakultetin Juridik funksionojnë këto programe studimore:

* Programi Bachelor: Juridik i Përgjithshëm – LLB, 240 ECTS, riakredituar nga data: 01 tetor 2026;

* Programi Master: Juridiko-Penal – LLM, 60 ECTS, riakredituar nga data: 01 tetor 2026 – 30 shtator 2029 si dhe

* Programi Master: E-Qeverisja – MSc, 120 ECTS, akredituar për periudhën 2024-2027 (në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, menaxhuar nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike).

Programi Bachelor: Juridik i Përgjithshëm – LLB, 240 ECTS

Misioni i programit:

Programi Bachelor: Juridik i Përgjithshëm – LLB, 240 ECTS në kuadër të Fakultetit Juridik, ka për qëllim të nxisë studentët të angazhohen në një proces të vazhdueshëm të mësimit dhe zhvillimit në fushën e drejtësisë, duke promovuar konceptin e të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ky mision thekson rëndësinë e drejtësisë si një instrument thelbësor për përmirësimin e jetës shoqërore dhe përballimin e sfidave të saj, me theks të veçantë në mësimin e studentëve që e drejta është mjeti kryesor për të luftuar padrejtësitë. Fakulteti synon të pajisë studentët me njohuri dhe aftësi për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.

Programi është strukturuar dhe hartuar në përputhje të plotë me misionin dhe objektivat strategjike të institucionit akademik. Ai përfshinë kurse dhe përmbajtje që synojnë t’i pajisin studentët me njohuri të thelluara në fushën e sistemit të drejtësisë, si dhe të promovojë zhvillimin e aftësive teorike dhe praktike të juristit të ardhshëm të diplomuar.

Ky program studimi është i hapur dhe i qasshëm për publikun, duke siguruar transparencë dhe mundësi për njohjen e përmbajtjes dhe strukturës së tij për të gjithë të interesuarit. Ai është hartuar në bashkëpunim me palë të interesuara si: gjykatat, prokuroritë, administratën shtetërore dhe publike si dhe përfaqësues të profesioneve të lira juridike.

Çfarë ofron ky program:

Ky program ofron marrjen e njohurive teorike dhe praktike lidhur me fushën juridike në përgjithësi. Për më tepër, ky program me profilin e tij ofron: përgatitjen e juristëve cilësorë në fushën juridike; ofrimin e njohurive të avansuara për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë; shkëmbimin e dijeve dhe njohurive përmes pjesëmarrjes aktive në organizime, seminare dhe konferenca; avansimin e dijeve në fushën juridike konform trendeve bashkëkohore të zhvillimit të sistemit të drejtësisë në tërësi; aftësimin në përpilimin e punimeve profesionale, shkencore, pjesëmarrjes në grupe punuese të cilat merren me përgatitjen e ligjeve etj.

Metodat mësimore, kërkimi shkencor, mësimi dhe vlerësimi i studentëve janë në përputhje të plotë me standardet më të larta të arsimit. Fakulteti Juridik aspiron, në kuadrin e tij, të përmbushë plotësisht standardet më të avancuara evropiane të arsimit të lartë sipas Deklaratës së Bolonjës dhe reformave të arsimit të lartë të ligjeve evropiane.

Nga studimet në karrierë: pse ta zgjidhni këtë program?

Ky program u mundëson studentëve të fitojnë njohuri të plota dhe të strukturuara në të gjitha fushat kryesore të së drejtës (penale, civile, kushtetuese-administrative, ndërkombëtare dhe financiare), duke krijuar themelet e domosdoshme të një jursiti të përgatitur mirë. Për më tepër ky program studentëve ju mundëson vazhdimin e studimeve master në fusha të ndryshme juridike; të konkurrojnë për punësim në gjykata, prokurori, administratë publike, komuna, institucione shtetërore, private etj.; të punojnë si bashkëpunëtorë juridikë, këshilltarë ligjorë, etj.

Ky cikël studimi përgatit juristë praktikë dhe jo vetëm teorikë. Programi nuk kufizohet vetëm në teori, por: aftëson studentët në hartimin e akteve ligjore dhe profesionale; zhvillon shkathtësi për analizë juridike, argumentim dhe interpretim ligjor si dhe përfshinë pjesëmarrje aktive në seminare, konferenca dhe punë praktike.

Ky program ka përputhshmëri të plotë me standardet evropiane. Ky program ndërton bazën për zhvillim akademik dhe shkencor sepse studentët aftësohen për: shkrim të punimeve profesionale dhe shkencore; përfshirje në grupe punuese për hartimin e ligjeve si dhe zhvillimin e mëtejshëm akademik (master dhe doktoratë).

Rezultatet e të nxënit:

Pas përfundimit të studimeve, studentët do të jenë në gjendje të:

  1. Shpjegojnë parimet themelore të së drejtës dhe funksionimin e sistemit juridik kombëtar e ndërkombëtar;
  2. Analizojnë çështje juridike në fusha të ndryshme të së drejtës (kushtetuese, civile, penale, administrative, ndërkombëtare, financiare etj.);
  3. Zbatojnë dispozitat ligjore dhe standardet profesionale në situata konkrete;
  4. Hartojnë dhe interpretojnë akte juridike, kontrata dhe dokumente të tjera profesionale;
  5. Përgatisin punime profesionale e shkencore duke përdorur metoda bashkëkohore të hulumtimit juridik;
  6. Marrin pjesë aktivisht në debate, seminare, konferenca dhe organizime profesionale për zhvillimin e mëtejshëm të njohurive të tyre si dhe
  7. Përshtatin dhe zhvillojnë aftësitë e tyre juridike në përputhje me trendet bashkëkohore dhe standardet evropiane të arsimit të lartë.

 Kandidatët që mund të aplikojnë në këtë program

Të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme (maturën) dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara me konkursin e pranimit të studentëve të rinj, për studime bachelor në Fakultetin Juridik.

Planprogrami (aktual) i lëndëve mësimore

Planprogrami i lëndëve mësimore është i përcjellur në web faqen zyrtare të Fakultetit Juridik për çdo modul duke ofruar një pasqyrë të qartë të emërimit të lëndëve, ndarjes semestrale të tyre, statusit të tyre (obligative apo zgjedhore), fondit të orëve (të ligjëratave dhe ushtrimeve) si dhe ECTS-ve.

 Syllabuset e lëndëve

Çdo lëndë e programit studimor posedon një standard të unifikuar për qasje të qartë dhe sistematike: Rrjedhimisht çdo planprogram i lëndëve/kurseve përmban:

Përshkrimin e lëndës: përmbajtja kryesore e lëndës si dhe rëndësia e saj brenda programit studimor;

Qëllimin e lëndës: objektivat dhe aftësitë që do të fitojnë studentët nga ndjekja përkatësisht studimi i lëndës përkatëse brenda programit studimor;

Rezultatet e të nxënit: sqarimet shtesë brenda planprogramit të lëndës rreth aftësive analitike si dhe aplikimit të njohurive përkatëse në praktikë;

Metodologjinë e mësimdhënies: ligjërata, ushtrime, ushtrime praktike në institucione të tjera të drejtësisë, projekte, studime rasti etj.

Kontributi nё ngarkesёn e studentit.

Vlerësimi: provime, kolokviumet, detyrat dhe prezantimet, me norma të qarta kalueshmërie;

Literatura bazë dhe materialet shtesë: librat bazë dhe shtesë, të ndara sipas javëve ose moduleve;

Plani javor/modulor: temat dhe aktivitetet për çdo javë gjatë semestrave përkatës të vitit akademik si dhe

Politikat akademike dhe rregullat e mirësjelljes.

Procedurat e regjistrimit për studentët e rinj

Studentët regjistrohen sipas procedurave të MASHT dhe Statutit të UKZ-së, përmes konkursit. Fakulteti publikon informacion të detajuar mbi numrin e studentëve që do të regjistrojë në vitin përkatës akademik: nga Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, komunitetet jo-shumicë, Shqipëria dhe Maqedonia dhe Mali i Zi. Konkursi i miratuar nga senati i universitetit përcakton të gjitha hapat që nga aplikimi deri te regjistrimi përfundimtar.

 

Të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve

Studentët kanë të drejtë për mbështetje akademike dhe konsultime; qasje në bibliotekë, laboratorë të IT etj., por kanë edhe përgjegjësi për respektimin e rregullave dhe etikës akademike. Të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve janë të saktësuara me kornizën ligjore të UKZ-së e cila është e qasshme për publikun.

https://www.youtube.com/watch?v=odEk5Zw0FKo

Broshura:

Objektivat e Programit dhe Mundesitë - Fakulteti Juridik - Bachelor

Shkarko

Rezultatet e te nxenit - Fakulteti Juridik - Programi Juridik i Pergjithshem

Shkarko

Planprogrami Juridik 2020-2023 - E Drejta Penale

Shkarko

Planprogrami Juridik 2020-2023 - E Drejta Civile

Shkarko

Planprogrami Juridik 2020-2023 - E Drejta Ndërkombëtare

Shkarko

Planprogrami Juridik 2020-2023 - E Drejta Financiare

Shkarko

Planprogrami Juridik 2020-2023 - E Drejta Kushtetuese

Shkarko

Planprogrami Juridiko - Penal 2021-2024

Shkarko

Udhezimi Administrativ - Pagesat per studime

Shkarko