Fakulteti i Shkencave Sociale

Fakulteti i Shkencave Sociale ka filluar të funksionojë në vitin akademik 2024–2025, si njësi e Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Programi Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane (BA, 180 ECTS) është i akredituar për periudhën 1 tetor 2024 – 30 shtator 2027 dhe është në përputhje me Hapësirën Kombëtare të Arsimit të Lartë dhe Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.Programi orientohet nga dokumente strategjike kombëtare dhe institucionale, si dhe nga hulumtime të tregut të punës (ASK, Komisioni Evropian, Oda Ekonomike Amerikane). Ai ka krahasueshmëri me programe në universitete evropiane si Masaryk, Timișoara, Nicosia dhe Rīga Stradiņš. Të diplomuarit mund të vazhdojnë studimet master brenda dhe jashtë vendit dhe të punësohen në institucione publike, misione diplomatike, agjenci të pavarura, komuna, ndërmarrje publike, institute kërkimore, akademi, media dhe organizata vendore apo ndërkombëtare.

Misioni i programit

Të përgatisë kuadro që përmbushin kërkesat e kompleksitetit të jetës ndërkombëtare, ndërvarësisë politike, globalizimit të ekonomisë dhe universalizimit të komunikimeve e kulturave. Të sigurojë kushte shkencore e teknike për zhvillimin e dijeve dhe mendimit kritik, në mënyrë që studentët të jenë të aftë të kryejnë funksione në organizata ndërkombëtare, korporata vendore apo transnacionale, institucione shtetërore, rajonale, pushtetin lokal dhe institucione të tjera relevante.

Objektivat e programit

  1. Të zhvillohet kuptim i qartë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe studimet evropiane.
  2. Të rriten aftësitë për analizë, vlerësim, interpretim dhe reflektim kritik sistematik gjatë studimeve.
  3. Të fokusohet në aktualitetet dhe çështjet moderne: marrëdhëniet ndërkombëtare, organizatat, teoritë e konfliktit/bashkëpunimit, integrimin evropian dhe ekonominë politike ndërkombëtare.
  4. Të zhvillohen aftësitë praktike dhe të përdoren metoda kërkimore për punë analitike me cilësi profesionale e shkencore.
  5. Të përgatiten studentë për karrierë në tregun vendor, rajonal apo global, ose për studime pasuniversitare jashtë Kosovës.

Rezultatet e të nxënit (Learning Outcomes)

• Të analizojë dimensionet kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve evropiane.
• Të interpretojë çështje aktuale në politikën evropiane dhe botërore me mbështetje teorike.
• Të përdorë teoritë bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës evropiane në analiza profesionale.
• Të krahasojë kuptimet dhe funksionet e institucioneve politike në sisteme të ndryshme.
• Të shpjegojë rezultatet dhe performancën e proceseve politike në marrëdhëniet ndërkombëtare.
• Të zotërojë qasjet teorike kryesore për integrimin evropian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
• Të vlerësojë faktorët që formësojnë determinantët e politikëbërjes dhe sjelljes në marrëdhëniet ndërkombëtare.
• Të vlerësojë rolin që Bashkimi Evropian luan në rajone të ndryshme të botës.
• Të formulojë koncepte dhe korniza veprimi në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Mundësitë e punësimit pas përfundimit të studimeve në programin “Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane”

Të diplomuarit nga programi janë të përgatitur profesionalisht për të kontribuar në një gamë të gjerë institucionesh publike, organizatash ndërkombëtare dhe subjektesh të sektorit privat. Formimi i tyre akademik ndërdisiplinar u mundëson të kuptojnë dhe analizojnë në mënyrë kritike proceset politike, diplomatike, ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në zhvillimet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit mund të zhvillojnë karrierë në:

• Institucionet qendrore të shtetit: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit.
• Misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës jashtë vendit.
• Institucionet e Bashkimit Evropian, Këshillin e Evropës, OKB-në, OSBE-në, NATO-n dhe organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale.
• Administratën publike, përfshirë agjencitë e pavarura, komunat dhe institucionet rregullatore.
• Institucionet kërkimore dhe think-tank-et që merren me analiza të politikës së jashtme, sigurisë dhe integrimit evropian.
• Institucionet akademike dhe arsimore, si universitetet dhe institutet e studimeve politike e ndërkombëtare.
• Organizatat joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në fushat e zhvillimit demokratik, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
• Mediat dhe institucionet e komunikimit publik si gazetarë politikë, analistë apo këshilltarë për çështje ndërkombëtare.
• Subjektet politike dhe mekanizmat vendimmarrës, si këshilltarë politikë apo koordinatorë për politika të jashtme.
• Institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencitë e Sigurisë Kombëtare.
• Organizatat ekonomike dhe të biznesit ndërkombëtar, përfshirë odat ekonomike, zyrat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe korporatat me veprimtari jashtë vendit.

Programi synon të përgatisë profesionistë me aftësi analitike, diplomatike dhe menaxheriale, të aftë të kontribuojnë në zhvillimin institucional të vendit dhe në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Personeli akademik, kërkimi shkencor dhe mësimdhënia

Fakulteti i Shkencave Sociale siguron transparencë të plotë për stafin akademik, i cili përbëhet nga profesorë të kualifikuar dhe me tituj shkencorë të fituar në universitete kredibile. Me një trupë akademike të përbërë nga profesorë të rregullt, profesorë të asociuar, profesor asistentë, asistentë dhe staf me përvojë kërkimore ndërkombëtare, fakulteti garanton mësimdhënie cilësore dhe të bazuar në praktikat më të mira evropiane. Publikimet e stafit, pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare si Erasmus+, OSBE, USAID dhe rrjetet akademike evropiane, konfirmojnë përkushtimin ndaj kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional të vazhdueshëm. Përveç mësimdhënies, fakulteti mbështet edhe aktivitetet studentore, si klubet akademike dhe ngjarjet shkencore, të cilat kontribuojnë në një mjedis të pasur akademik dhe social. Fakulteti në vitin 2025 ka themeluar edhe Laboratorin e Shkencave Sociale, si njësi për realizimin e kërkimeve shkencore dhe akademike.

Oferta e programit të studimit

Programi Bachelor “Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane” ofrohet në mënyrë tërësisht transparente, me një kurrikulë trevjeçare prej 180 ECTS, të ndarë në gjashtë semestra, ku pasqyrohen qartë të gjitha lëndët obligative dhe zgjedhore, rezultatet e të nxënit dhe kompetencat përfundimtare. Programi është ndërtuar mbi modelet evropiane dhe përfshin lëndë të fushave të diplomacisë, integrimeve evropiane, organizatave ndërkombëtare, politikave globale dhe rajonale, duke reflektuar kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës. Transparenca e ofertës garantohet përmes publikimit të planprogramit, syllabuseve dhe informatave të detajuara për strukturën e studimeve.

Regjistrimi i studentëve

Regjistrimi i studentëve realizohet sipas procedurave të përcaktuara nga MASHTI dhe Statuti i UKZ-së, me dy konkurse vjetore dhe kritere të qarta pranimi, bazuar në provimin e maturës, pikët e pranimit dhe kuotat e aprovuara. Fakulteti publikon çdo vit informacion të detajuar mbi numrin e studentëve të regjistruar, duke reflektuar një interesim të qëndrueshëm, veçanërisht nga rajoni i Gjilanit dhe komunat përreth, por edhe nga Presheva, Bujanoci dhe Maqedonia e Veriut. Përfaqësimi i komuniteteve pakicë dhe studentëve me nevoja të veçanta sigurohet përmes kuotave të dedikuara. Programi Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane është akredituar për të pranuar 50 student për secilin vit akademik. Në vitin akademik 2024/2025 në programin MNSE janë regjistruar 35 student. Në Vitin akademik 2025/2026 janë regjistruar 50 student.

Rezultatet e synuara të të nxënit

Programi përcakton qartë rezultatet e të nxënit, duke garantuar që studentët të zhvillojnë kompetenca teorike dhe praktike në marrëdhënie ndërkombëtare, studime evropiane, analizë politike, diplomaci, integrime dhe siguri ndërkombëtare. Objektivat O1–O5 përqendrohen në aftësimin e studentëve për të analizuar fenomene globale, për të menduar kritikisht, për të përdorur metodologjinë e kërkimit shkencor dhe për t’u përgatitur profesionalisht për tregun rajonal dhe global të punës. Rezultatet janë të harmonizuara me EHEA dhe standardet e Bolonjës.

Kualifikimi që jep programi

Programi MNSE ofron kualifikimin Bachelor i Arteve në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane, një diplomë e njohur në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, e cila u mundëson të diplomuarve vazhdimin e studimeve master në Kosovë dhe jashtë vendit. Ky kualifikim reflekton standardet akademike ndërkombëtare dhe përputhshmërinë me modelet evropiane të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Vlerësimi i studentëve

Vlerësimi i studentëve realizohet në mënyrë transparente dhe të standardizuar, përmes provimeve të shkruara, me gojë, testeve, kolokviumeve dhe vlerësimit praktik. Notat shprehen sipas sistemit të Bolonjës (A–F ose 10-5), ndërsa profesorët janë të obliguar të publikojnë rezultatet brenda 72 orëve dhe të ofrojnë konsultime të rregullta pas provimit. Ky sistem siguron integritet akademik, drejtësi në vlerësim dhe qartësi për çdo student.

Të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve

Studentët janë pjesë integrale e qeverisjes universitare dhe përfaqësohen me të drejtë vote në Senat, Këshillin e Fakultetit, Komisionin e Studimeve dhe struktura të tjera. Ata gëzojnë të drejtën e qasjes në konsultime, bibliotekë, platforma digjitale të mësimit, mobilitet studimor, aktivitete jashtëkurrikulare dhe mbështetje administrative. Fakulteti siguron një ambient gjithëpërfshirës duke respektuar barazinë, meritokracinë dhe transparencën.  Me rastin e pranimit për studime, studentët nënshkruajnë Kodin e sjelljes.

Shërbimet dhe lehtësitë në dispozicion të studentëve

Studentët përfitojnë nga infrastruktura moderne universitare, laboratorët kompjuterikë, hapësirat e mësimit, Biblioteka Universitare, pajisjet teknologjike të rinovuara dhe platformat digjitale të menaxhimit të mësimit. Fakulteti ofron gjithashtu mundësi për praktikë profesionale, mobilitet ndërkombëtar, klube akademike dhe qasje në rrjete ndërkombëtare për zhvillim akademik.

Norma e kalueshmërisë dhe standardet akademike

Programi zbaton një sistem transparent të kalueshmërisë, ku nota minimale për të kaluar një lëndë është 6, që përfaqëson së paku 50%+1 të pikëve të përgjithshme. Ky standard siguron që çdo student i diplomuar të zotërojë njohuritë dhe aftësitë bazë të fushës, duke ruajtur cilësinë akademike dhe rigorozitetin e studimeve.

Mundësitë e larmishme të të mësuarit

Programi kombinon ligjëratat teorike me ushtrime praktike, studime rastesh, simulime diplomatike, pjesëmarrje në debate akademike, punë kërkimore dhe praktikë profesionale në institucione brenda dhe jashtë vendit. Fakulteti ka kultivuar programin Guest Speaker, ku figura të njohura dhe profesionale ndajnë përvojat me studentët. Për herë të parë në UKZ-së, në Fakultetin e Shkencave Sociale, është angazhuar një profesor vizitor. Studentët kanë mundësi të shumta të mobilitetit ndërkombëtar përmes Erasmus+, ku kreditet transferohen plotësisht. Kjo qasje e bën programin fleksibël, modern dhe të përshtatshëm për tregun global.

Opsionet e bursave dhe mbështetja financiare

Studentët përfitojnë bursa nga komuna e tyre, bursa meritore nga UKZ, bursa nga MASHTI, poashtu Bursa nga Komunat e Kosovës, si dhe programe të dedikuara për studentë me rezultate të larta apo gjendje të vështirë ekonomike. Për studentët ndërkombëtarë, tarifa e studimit është simbolike – vetëm 25 euro për semestër – duke e bërë programin të qasshëm dhe konkurrues në rajon.

Projektet kërkimore dhe ndërkombëtare në vazhdim

Fakulteti është pjesë e projekteve prestiogjioze ndërkombëtare si Erasmus+ ICM, SHER, HERAS, bashkëpunimeve me ONU, OSBE, USAID, MPJ dhe ambasadat ndërkombëtare. Këto projekte sjellin pajisje të reja, zhvillim të kurrikulave, mobilitet të stafit dhe studentëve, si dhe mundësi kërkimore. Anëtarësimi në rrjete ndërkombëtare si ATTE, ENAI, SDSN, BUA e pozicionon Fakultetin si një aktor të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Përmes Laboratorit të Shkencave Sociale, FSHS ka realizuar dy hulumtime kërkimore gjatë vitit 2025.

Tarifa e shkollimit

Programi MNSE ofrohet pa pagesë për studentët kosovarë, duke garantuar akses të barabartë në arsimin e lartë. Studentët nga jashtë Kosovës paguajnë vetëm 25 euro për semestër, një tarifë simbolike që reflekton misionin publik të universitetit dhe orientimin për të ofruar arsim cilësor me kosto të përballueshme.