Zgjedhet Kryesuesi dhe Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Drejtues në UKZ

25 Nëntor, 2022

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan më datë 25 nëntor 2022 u zgjodh Kryesuesi dhe Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Drejtues (KD), ku të pranishëm në mbledhje ishin të gjithë  anëtarët e Këshillit Drejtues. Kryesuesi dhe Zëvendës Kryesuesi i KD, u zgjodhën nga radhët e anëtarëve të caktuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, siç parashihet me dispozitat ligjore në fuqi dhe aktet normative të Universitetit.

Kryesues i KD-së, me mandat një vjeçar u zgjodh, z. Ilir Gjinolli, ndërsa Zëvendës Kryesuese, znj. Arta Istrefi-Jahja.

Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  Bajram Kosumi, ka uruar  Kryesuesin dhe Zëvendës Kryesuesen, duke thënë se të gjithë së bashku do të vazhdojmë të punojmë për ti quar përpara proceset e zhvillimit të Universitetit. “Besimi që keni marrë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka thënë Rektori Kosumi.  Rektori po ashtu ka falënderuar Kryesuesin e deritashëm z. Agron Hajdari për punën që ka bërë në të mirë të universitetit.

Kryesuesi z. Ilir Gjinolli dhe Zëvendës Kryesuesja znj. Arta Istrefi-Jahja, falënderuan anëtarët e KD-së për besimin e duke thënë se do të kryej të gjitha punët me nderë dhe përgjegjësi në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ata u zotuan se do të respektojnë Statutin e Universitetit, Ligjin mbi Arsimin e Lartë si dhe do të punojnë me përkushtim maksimal.

Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universitetit dhe ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të universitetit.