Vazhdon vizita e delegacionit të PH Zug në UKZ

1 Tetor, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka vazhduar sot pritjen e delegacionit nga Pädagogische Hochschule Zug (PH Zug), duke zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme akademike dhe bashkëpunuese me fokus në fuqizimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ngritjen e cilësisë së përgatitjes së mësimdhënësve.

Agjenda e ditës nisi me një vizitë të delegacionit në ambientet e universitetit, ku mysafirët u njohën nga afër me bibliotekën moderne, laboratorët e specializuar, sallat e mësimit, amfiteatrin dhe Zyrën e Projekteve të UKZ-së. Kjo vizitë shërbeu për të paraqitur potencialin dhe infrastrukturën bashkëkohore të universitetit, të ndërtuar në funksion të zhvillimit akademik, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në vijim, u zhvilluan sesione pune ku u trajtuan tema me rëndësi për zhvillimin e arsimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve. Prof. Sabina Staub, në ligjëratën e saj, theksoi se lidhja mes universiteteve dhe shkollave është element kyç në formimin e mësimdhënësve. “Bashkëpunimi mes universiteteve dhe shkollave është çelësi për përgatitjen e mësimdhënësve të suksesshëm. Vetëm duke i lidhur studentët me praktikën e përditshme në shkolla, ne mund t’i bëjmë ata të kuptojnë sfidat dhe mundësitë reale të mësimdhënies. Jam e bindur se UKZ dhe PH Zug do të ndërtojnë ura të forta në këtë drejtim,” – theksoi Prof. Sabina Staub.

Në sesionin vijues, Prof. Asoc. Dr. Fitore Malaj shtjelloi temën “Roli i bashkëpunimit shkollë–Fakultet i Edukimit në mësimdhënien gjithëpërfshirëse”. Ajo theksoi se përfshirja në arsim është një proces që kërkon angazhim të gjerë dhe strategji të përbashkëta. “Fakulteti i Edukimit në UKZ ka prioritet të krijojë kushte për mësimdhënie gjithëpërfshirëse. Përfshirja e çdo nxënësi, pavarësisht sfidave apo dallimeve, është detyrim moral dhe profesional. Përmes ndarjes së përvojave me kolegët tanë nga Zvicra, ne mund të zhvillojmë modele më efektive dhe praktika të suksesshme për një arsim gjithëpërfshirës,” – u shpreh Prof. Asoc. Dr. Fitore Malaj.

Në kuadër të vizitës, mësues nga shkollat fillore të Gjilanit ndanë përvojat e tyre nga pjesëmarrja në vizitat e mëparshme në Zvicër, duke theksuar se këto shkëmbime profesionale kanë ndihmuar në pasurimin e metodave të tyre të punës, në aplikimin e praktikave të reja në klasë dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shkollave të dy vendeve.

Gjithashtu, Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj prezantoi praktikat e mira të mobilitetit akademik ndërmjet UKZ-së dhe PH Zug, duke nënvizuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik. “Mobiliteti akademik është një nga format më të vlefshme të shkëmbimit ndërmjet institucioneve. Studentët dhe stafi që përfitojnë nga këto programe jo vetëm që fitojnë njohuri të reja, por edhe ndërtojnë ura bashkëpunimi që zgjasin gjatë. Jam krenare që UKZ është pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar përmes partneritetit me PH Zug,” – u shpreh Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj.

Në vazhdën e aktiviteteve, gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një takim pune me grupin punues të përfshirë në projektin ndërkombëtar EDUFAIR (ERASMUS-EDU-2024-CBHE-STRAND-1, Project No. 101175331). Ky takim u fokusua në koordinimin e fazës së zhvillimit të rregullores dhe udhëzuesit për përdorimin etik dhe akademik të Inteligjencës Artificiale (AI) në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. Në këtë kuadër, përfaqësues të stafit akademik dhe administrativ të UKZ-së, në bashkëpunim me partnerët nga PH Zug diskutuan për finalizimin e dokumentit strategjik që do të udhëheqë përdorimin e AI në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe menaxhim universitar, duke sjellur praktikat me te mira nga Zvicra.

Profesori nga PH Zug, Thomas Zurfluh paraqiti aspektin e “AI Literacy for Future Educators: An Interdisciplinary Approach”, duke sjellur shembuj të mirë nga PH Zug dhe nga Zvicra në përdorimin e AI në arsimin e lartë në Zvicër. Poashtu edhe Prof. Lindita Nebiu, Profesoreshë nga Fakulteti i Shekncave Kompjuterike në UKZ sjelli shembullin e UKZ me temCn “Implementation of AI tools in Teaching in the Field of Computer Sciences”, ku u dha një kontribut i jashtëzakonshëm edhe për grupin punues në UKZ, i caktuar për hartimin e udhëzuesit praktik.
Ky aktivitet u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të praktikave mësimore dhe përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive digjitale në arsimin e lartë.

Vizita e delegacionit nga PH Zug në UKZ është dëshmi e përkushtimit të përbashkët të dy institucioneve për ndërtimin e urave afatgjata të bashkëpunimit akademik, për përmirësimin e cilësisë së arsimit, dhe për krijimin e mundësive të reja për studentë dhe staf.
Ky bashkëpunim pritet të sjellë iniciativa të reja në fushën e kërkimit shkencor, të zhvillimit të projekteve të përbashkëta, të përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe të shkëmbimeve ndërkombëtare, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin dhe modernizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”.