Urim i Rektorit Artan Dërmaku me rastin e 28 Nëntorit

27 Nëntor, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, uron të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë e veprojnë, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe Ditës së daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

28 Nëntori përfaqëson një prej momenteve më të rëndësishme dhe më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Është dita që na bashkon rreth vlerave të përbashkëta të identitetit, gjuhës, kulturës dhe sakrificës për liri. Kjo datë shënon ngritjen e Flamurit Kombëtar nga Ismail Qemali dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i hapur rrugë një epoke të re për kombin shqiptar.

Po ashtu, kjo ditë na rikujton me nderim figurën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, simbol i qëndresës, sakrificës dhe luftës për liri, i cili me heroizmin e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Kujtojmë, gjithashtu, me krenari edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky moment forcoi shpresën dhe besimin për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Le të shërbejë 28 Nëntori si burim frymëzimi për punë, përkushtim dhe unitet në rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të ndritur.

Gëzuar Festa e 28 Nëntorit!

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku