Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Arel të Stambollit, Turqi, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit akademik, shkencor dhe kulturor ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.
Kjo marrëveshje është nënshkruar fillimisht nga Rektori i Universitetit Arel të Stambollit, Prof. Dr. Ersin GÖSE, gjatë takimit në “Staff Week”, që u mbajt në Universitetin “Angel Kanchev”, ku Universiteti Publik “Kadri Zeka” u përfaqësua nga U.D. Udhëheqësi për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, Betim Berisha.
Pas kësaj, marrëveshja është nënshkruar edhe nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, duke finalizuar kështu bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.
Marrëveshja synon zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike dhe kërkimore, duke përfshirë, shkëmbimin e studentëve për studime, shkëmbimin e stafit akademik për studime dhe kërkime, organizimin e ligjëratave dhe aktiviteteve shkencore, shkëmbimin e publikimeve akademike, zhvillimin profesional dhe programeve të përbashkëta arsimore, si dhe aktivitete të tjera në interes të përbashkët të të dy universiteteve.
Sipas memorandumit, bashkëpunimi do të bazohet në reciprocitet dhe interes të ndërsjellë, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe studiuesit e të dy institucioneve.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në krijimin e partneriteteve strategjike që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim, kërkim shkencor dhe zhvillim akademik.


+383 280-390-112
rr.”Zija Shemsiu” pn. 60000 Gjilan, Republika e Kosovës
Apo na kontaktoni dhe do t’ju informojmë sa më shpejtë të jetë e mundur
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan