Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mbylli konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2021-2022

24 Gusht, 2021

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbyllur konkursin  për pranimin e studentëve të rinj, në vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2021/2022.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2021/2022, do të regjistrojë 725 studentë të rregullt në studime baçelor.

Deri në ditën kur edhe është mbyllur konkursi, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar 634 maturantë për të studiuar.

Në bazë të statistikave, në të gjitha fakultetet ka interesim, por fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimit gjegjësisht programi fillor.

Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm i UKZ-së ka thënë se  procesi i aplikimit online ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik.  “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Sekretari Sadriu.

Ndërkohë, nga neser fillon dorëzimi i dokumentacionit fizik vetëm për kandidatët të cilët kanë aplikuar online dhe do të zgjasë deri më datë 28.08.2021. Gjatë kësaj periudhe gjithashtu do të bëhet verifikimi i dokumentacionit nga personel i administratës së fakultetit përkatës.

Provimi pranues, për shkak të pandemisë COVID-19 do të mbahet në një periudhë më të gjatë, respektivisht më datë 31.08.2021 dhe 01.09.2021; , sipas orarit si në vijim:

Grupi I.

  1. Fakulteti i Edukimit – baçelor më datë 31.08.2021 në ora 9:00

Grupi II.

  1. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike – baçelor më datë 31.08.2021 në ora 12:00

Grupi III.

  1. Fakulteti i Shkencave Aplikative – baçelor më datë 31.08.2021 në ora 13.00

Grupi IV.

  1. Fakulteti Ekonomik – baçelor më datë 01.09.2021 fillon në ora 9:00

Grupi V

  1. Fakulteti Juridik – baçelor më datë 01.09.2021 fillon në ora 12.00

30.08.2021 do të publikohet në ueb-faqen e universitetit lista e kandidatëve dhe sallave ku do të mbahet provimi pranues.

Të gjithë kandidatët në provim pranues duhet të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse (Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës) dhe me vete të posedojnë konfirmimin e aplikimit dhe letërnjoftimin, pa të cilat nuk mund t’i nënshtrohen provimit pranues.

Në kohën e mbajtjes së provimit pranues ndalohet përdorimi i telefonave celularë!

Më së voni deri më datë 02.09.2021, në ora 16:00 do të bëhet shpallja e rezultateve preliminare, në ndërkohë është paraparë edhe periudha e ankimit. Kandidatët të cilët sipas rezultatit preleminar renditen si kandidatë të papranuar, mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare (llogaritet edhe dita e shtunë). Ankesat bëhen më së voni deri më datë 04.09.2021, në ora 16:00.

Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues do të bëhet në tabelat e shpalljeve si dhe në ueb-faqen e universitetit, pas shqyrtimit të ankesave sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë: më së voni deri më datë 06.09.2021.