Universiteti “Kadri Zeka” ofron kuota të veçanta për studentët nga Lugina

30 Qershor, 2016

Menaxhmenti i Universiteti “Kadri Zeka” ka ndarë kuotat për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2016/2017 nga Lugina e Preshevës.

Për këtë çështje Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ka pritur në një takim Kushtrim Kadriu nga shoqata “Vatra”  e Bujanocit që vepron në Gjilan dhe Gentiana Shabani, koordinatore e zyrës për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë me bashkëpunëtorë. Ata kanë diskutuar rreth përafrimit të qëndrimit për pranimin e studentëve të rinj nga Lugina e Preshevës. Me këtë rast rektori Bajram Kosumi ka  thënë se do të krijohet hapësirë e mjaftueshme studimi për studentët e Luginës së Preshevës e që është edhe një nga misionet edhe të themelimit të këtij Universiteti në Gjilan.

Rektori Kosumi ka theksuar se konkursi për pranimin e studentëve të rinj  për vitin akademik 2016/2017 do të publikohet në muajin ardhshëm dhe ka shtuar se Universiteti “Kadri Zeka”, për kandidatët nga Lugina e Preshevës  ka rezervuar kuota të veçanta për këtë afat të studimit.

Kosumi ka bërë të ditur se në Universitetin “Kadri Zeka” kandidatët nga Lugina do të garojnë për vendet e studimit të ndara me kuota të rezervuara për ta dhe se ata do  të garojnë ndërmjet vete për kuotat e tyre dhe assesi në një garë të përbashkët me kandidatët nga Kosova.

Nga ana tjetër, Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Vatra dhe Gentiana Shabani, koordinatore e zyrës për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë e kanë vlerësuar mjaft të nevojshëm takimin me Rektorin Bajram Kosumi. Sipas tyre propozimet për pranimin e kandidatëve nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja për të studiuar në universitetin “Kadri Zeka”, janë të pranueshme, dhe se ato janë bërë në përputhshmëri  edhe me kushtet që disponon Universiteti.