Universiteti “Kadri Zeka” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Programin Nacional për Rininë

21 Shkurt, 2019

Në Universitetin ‘Kadri Zeka” ne Gjilan, sot ka qëndruar për vizitë Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës,Rexhep Hoti, me të cilin, Rektori  Bajram Kosumi nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e Programit Nacional për Rininë.

Me këtë rast Rektori Kosumi tha se,  si Universitet jemi shumë të gatshëm që ta mbështesim këtë program, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe asistimi të ndërsjellët  studentët tanë do të kenë mundësinë të jenë pjesë e aktiviteteve që  kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportin.

Kurse koordinatori  Hoti tha se me Programin Nacional për Rininë studentët do të kenë mundësi që të marrin pjesë në një garë që është e hapur për të gjithë studentët në Republikën e Kosovës pa dallim. Studentët do të kenë mundësi të tregojnë aftësitë e veta sportive e kreative dhe më të mirët e këtyre fushave do të shpërblehen. Ky program nuk është vetëm garë, por është filozofi në vete sepse do të zhvillojë frymën garuese dhe do të zhvillojë mendimin kritik në mesin e të rinjve, tha Hoti.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Leonora Morina-Bunjaku , e cila ishte e pranishme në këtë takim,  tha se e si rezultat i këtij bashkëpunimi, studentët do të jenë pjesë e aktiviteteve që synojnë promovimin dhe zhvillimin e kulturës, sportit e diturisë.

Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ta bëjë më atraktiv mësimin dhe të nxjerrë talent. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të tria fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës.