Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Budapest Business School nga Hungaria

28 Janar, 2016

Rektori i Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi dhe Katalin Solt  prorektore në Universitetin e Budapestit, Budapest Business School  nga Hungaria, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi. Me këtë rast rektori Bajram Kosumi ka thënë se nënshkrimi i këtij memorandum mirëkuptimit është një hap shumë i rëndësishëm për universitetin dhe për jetën akademike universitare, ndërkohë që ka shtuar se ky lloj i bashkëpunimit nuk është vetëm një ndihmesë, por edhe një motiv konkret për stafin dhe studentët për të shkëmbyer përvojat midis vete.

Kurse prorektorja e Budapest Business School  nga Hungaria Katalin Solt, ka thënë se është e nderuar që sot së bashku me rektorin e UKZ-së kemi nënshkruar memorandum mirëkuptimi për punë dhe angazhime të përbashkëta, kështu që të gjitha kapacitetet tona do të jenë në funksion të zhvillimeve të aktiviteteve mes dy institucioneve.

 Ndryshe ky Memorandum Mirëkuptimi ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit, shkëmbimit akademik në edukim dhe hulumtim mes dy palëve. Të dy institucionet arsimore, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Budapest Business School në Hungari, me nënshkrimin e këtij memorandumi do të promovojnë përvoja në programet e tyre mësimore, do të organizojnë aktivitete hulumtuese në fusha të ndryshme,  do të shkëmbejnë student dhe stafin akademik me qëllim të përfitimit të ideve të reja, do të punojnë në hulumtime dhe publikime  të përbashkëta shkencore, etj.

Në këtë ceremoni përpos rektorit Bajram Kosumi të pranishëm ishin, Prorektorja për çështje mësimore në UKZ Shpresë Qamili, dekani i Fakultetit të Edukimit Jonuz Dervodeli, dekani i Fakultetit Ekonomik Gëzim Tosuni dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Xhevdet Thaqi, kurse delegacioni nga Hungaria përpos prorektores Katalin Slot përbëhej edhe nga Monika Lambertne Katona dekan në College of Business Administration, profesorët Erzsebet Gyopar Csapai, David Takacs dhe Karoly Nagy të cilët kanë dhënë mbështetje nënshkrimit të memorandumit duke ofruar bashkëpunim dhe efikasitet në punët e mëtutjeshme.

2 3