Universiteti “Kadri Zeka” dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup do të bashkëpunojnë ngushtë në fushat akademike dhe hulumtuese.

23 Shkurt, 2018

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, i përfaqësuar nga Rektori Bajram Kosumi  dhe Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, i përfaqësuar nga Rektori  Azis K. Pollozhani janë dakorduar që të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimit të shumë anshëm në funksion të zhvillimit institucional.

Të dyja këto institucione do të kenë qëllim të përbashkët identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.

Rekomandimet dhe ekspertiza profesionale janë të nevojshme veçmas në: idetë, projektet lokale dhe ndërkombëtare, pilot -projektet dhe programet e caktuara që kanë segmente të rëndësishme   të angazhimit me këtë marrëveshje.

Të dy drejtuesit e Institucioneve arsimore janë shprehur të kënaqur me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë deri sa kanë bërë të ditur se,  bashkëpunimi ndërmjet dy Universiteteve do të përfshijë,  shkëmbimin e personelit akademik për procesin mësimor, shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore shkencore,  mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok dhe të ndërsjellë në sferën e ofrimit të ndihmës për ngritjen e kapaciteteve të studentëve të këtyre universiteteve, zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me interes të të dy institucioneve.