Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka thelluar bashkëpunimin e tij akademik me institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Më datat 12–15 Nëntor 2025, një delegacion i UKZ-së i përbërë nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Assoc. Dr. Selim Daku, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit (UAMD).
Qëllimi kryesor i vizitës ishte avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në zhvillimin e programit të përbashkët me Universitetin “La Sapienza” të Romës, i cili po mbështetet nga projekti SHER. Delegacioni i UKZ-së u njoftua nga afër me përvojat dhe praktikat e mira të UAMD-së, e cila tashmë ka të konsoliduara programe me diplomë të dyfishtë me La Sapienza-n.
Gjatë qëndrimit në Durrës u zhvilluan disa takime të rëndësishme akademike. Fillimisht, delegacioni u prit nga Prof. Belina Bedini, Zv. Dekane e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të UAMD dhe koordinatore e programeve të përbashkëta me La Sapienza, me të cilën u diskutua modeli i bashkëpunimit ekzistues dhe adaptimi i tij për programin e ri të përbashkët UKZ–La Sapienza. Më pas, u realizua takim me Prorektoren për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Azeta Tartaraj, ku u theksuan hapat institucionalë dhe mbështetja që UAMD do të ofrojë për krijimin e programit të ri të përbashkët “Master i Shkencave në Paqen Globale – Dizajnimi i Politikave për Diversitet, Pluralizëm dhe Barazi në një Botë me Polikriza”.
Një diskutim i rëndësishëm u zhvillua edhe me Prof. Sokol Pacukaj, ish-student i La Sapienza-s dhe një nga protagonistët kryesorë në krijimin e programeve me diplomë të dyfishtë në UAMD. Ai ofroi një pasqyrë të gjerë mbi proceset, sfidat dhe praktikat që kanë garantuar sukses në partneritetet e tij me Universitetin e Romës. Gjatë takimit me Prof. Bedini u organizua edhe një sesion online me Prof. Dr. Fiorenza Deriu nga Universiteti “La Sapienza”, ku u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim trepalësh dhe u dakorduan hapat e ardhshëm të procesit.
Vizita e delegacionit të UKZ-së në Durrës u përmbyll me sukses të plotë. Ajo vendosi një bazë të fortë për krijimin e programit të përbashkët të nivelit master UKZ–La Sapienza, për forcimin e bashkëpunimit akademik mes UKZ dhe UAMD, si dhe për zgjerimin e rrjeteve ndërkombëtare të UKZ-së brenda projektit SHER dhe iniciativave të tjera të ardhshme.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan