UKZ zgjeron partneritetet akademike në Rumani ku është nënshkruar marrëveshja Erasmus+ KA171 me Valahia University

19 Nëntor, 2026

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po vazhdon të konkretizojë angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përmes partneriteteve të reja me institucione të arsimit të lartë në Rumani. Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni i UKZ-së, i udhëhequr nga Rektorja, znj. Fitore Malaj, ka shënuar rezultate të rëndësishme në drejtim të krijimit të mundësive të reja për mobilitet akademik dhe bashkëpunim institucional.

Një ndër rezultatet konkrete të vizitës është nënshkrimi i Marrëveshjes Ndërinstitucionale Erasmus+ KA171 me Valahia University of Târgoviște, e cila hap perspektiva të reja për shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ ndërmjet dy universiteteve.

Kjo marrëveshje krijon mundësi për zgjerimin e përvojave akademike, shkëmbimin e praktikave të mira dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UKZ-së i përbërë nga Rektorja znj. Fitore Malaj, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte z. Arben Sahiti, udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Betim Berisha dhe asistentja ekzekutive Liza Maliqi, ka zhvilluar gjithashtu takime dhe ka avancuar diskutimet me Petroleum-Gas University of Ploiești, me synimin e vendosjes së një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërinstitucional. Në këtë drejtim, janë duke u përgatitur hapat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme, Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) dhe Marrëveshjes Ndërinstitucionale Erasmus+ KA171 për mobilitet akademik.

Përmes këtyre marrëveshjeve synohet krijimi i mundësive të reja për mobilitet ndërkombëtar, shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës, zhvillim të projekteve të përbashkëta, bashkëpunim në kërkimin shkencor, si dhe avancim të iniciativave të përbashkëta akademike.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucioneve partnere, Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, prezantoi vizionin, prioritetet dhe orientimet zhvillimore të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve strategjike dhe të integrimit të mëtejshëm të universitetit në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Po ashtu, përfaqësuesit e delegacionit të UKZ-së prezantuan mundësitë konkrete për bashkëpunim në kuadër të programeve Erasmus+, projekteve evropiane, mobiliteteve akademike, programeve të përbashkëta të studimit Double Degree dhe Joint Degree, si dhe iniciativave të përbashkëta në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional.

Nënshkrimi i marrëveshjes me Valahia University dhe avancimi i negociatave me Petroleum-Gas University of Ploiești është i rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë të UKZ-së. Këto zhvillime dëshmojnë përkushtimin e universitetit për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik e administrativ, si dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me institucionet evropiane të arsimit të lartë.