Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka prezantuar kontributin dhe të arriturat e tij në kuadër të projektit CoVE STEM Europe, gjatë takimit të 4-të Transnacional të Partnerëve, i cili u mbajt më 9 dhe 10 nëntor 2026 në Mülheim an der Ruhr të Gjermanisë, nën organizimin e institucionit pritës ZENIT.
Në takim morën pjesë partnerët e konsorciumit për të shqyrtuar progresin e projektit, për të vlerësuar aktivitetet e realizuara dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.
Në këtë takim, UKZ u përfaqësua nga ekipi i projektit, i cili kontribuoi përmes prezantimeve dhe diskutimeve në disa prej paketave kryesore të punës, duke prezantuar përvojat, rezultatet dhe perspektivën e Kosovës në zhvillimin e arsimit profesional dhe ekosistemit STEM.
Në kuadër të prezantimeve, znj. Luljete Berisha, udhëheqëse e Paketës së Punës 6 (WP6), prezantoi progresin në fushën e marketingut ndërkombëtar dhe diseminimit, duke u fokusuar në zhvillimin e një fushate të koordinuar ndërmjet partnerëve, me synim rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të projektit dhe promovimin e rezultateve të tij.
Xhevdet Thaqi prezantoi zhvillimin dhe aktivitetet e Qendrës së Ekselencës Profesionale (CoVE) në Kosovë, duke vënë në pah progresin e arritur dhe përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, arsimit profesional dhe sektorit të industrisë.
Ndërkaq, z. Buen Bajrami prezantoi përgatitjet për organizimin e Hakatonit Ndërkombëtar (WP4), një aktivitet që synon të nxisë inovacionin, kreativitetin dhe bashkëpunimin në adresimin e sfidave praktike në fushat STEM.
Në kuadër të Paketës së Punës 5 (WP5), z. Valon Syla prezantoi perspektivën e Kosovës në fushën e avokimit për ndryshime në politika, duke kontribuar në diskutimet mbi prioritetet kombëtare dhe mundësitë për përmirësimin e politikave që mbështesin arsimin profesional dhe zhvillimin e fushave STEM.
Gjatë dy ditëve të takimit, partnerët shqyrtuan progresin e paketave të ndryshme të punës, përfshirë menaxhimin dhe koordinimin e projektit (WP1), rritjen e atraktivitetit të arsimit profesional në fushat STEM (WP3), marketingun dhe diseminimin ndërkombëtar (WP6), organizimin e Hakatonit Ndërkombëtar (WP4), si dhe vlerësimin dhe sigurimin e cilësisë (WP7).
Në ditën e dytë, diskutimet u përqendruan në konceptin CoVE Flash (WP2) dhe avokimin për ndryshime në politika (WP5), me theks të veçantë në prioritetet kombëtare dhe ndikimin afatgjatë të projektit.
Pas përfundimit të takimit në Mülheim an der Ruhr, partnerët e konsorciumit udhëtuan drejt Dortmundit, ku vazhduan angazhimet e tyre në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të projektit. Pjesëmarrja dhe kontributi aktiv i ekipit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në këtë takim dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të universitetit në realizimin e objektivave të projektit CoVE STEM Europe, avancimin e arsimit profesional dhe STEM, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë. Përmes këtij projekti, UKZ kontribuon në zhvillimin e praktikave inovative, ndërlidhjen e arsimit me industrinë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional dhe institucional.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan