UKZ pjesë e punëtorinë së projektit SIAHDPC që po mbahet në Gjermani

6 Dhjetor, 2023

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku,  së bashku me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, prorektorin për buxhet, financa dhe infrastrukturë Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, dekanen e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu, Prof. Asoc. Dr. Fadil Osmani, Prof. Asoc. Dr. Shpresë Qamili dhe Dr. Sc. Shejnaze Gagica janë duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Gjermani.

Ata po marrin pjesë në punëtorinë, organizuar në kuadër të projektit SIAHDPC (Student-run Interdisciplinary Allied Health Digital Practice Center), (Qendra Dixhitale e Praktikës Shëndetësore Ndërdiciplinare e Udhëhequr nga Studentët) i financuar nga Erasmus +.

Gjatë punëtorisë së projektit SIAHDPC, është diskutuar për platformat që janë krijuar nga projekti në fjalë, por gjithashtu ekipi i UKZ-së ka paraqitur platformën T-Edu, e cila do të ndërlidhet me platformën e krijuar nga projekti, duke e integruar këtë të fundit në platformën e universitetit.

Projekti SIAHDPC pritet t’u mundësojë IAL-ve të Kosovës që të kontribuojnë në mënyrën më efektive në fushën e shëndetit, duke përmirësuar cilësinë dhe rëndësinë e mësimdhënies të nevojshme për të trajtuar mospërputhjet e aftësive në të ardhmen. Poashtu si një impakt direkt do të jetë edhe zhvillimi i aftësive drejt një sistemi të arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të lidhur. Ky projekt do të krijojë edhe lidhje të reja dhe më të forta bashkëpunimi midis “trekëndëshit” të arsimit, kërkimit dhe industrisë për nivele më të larta të efektivitetit dhe mekanizmave të financimit.

Udhëheqës i këtij projekti është Kolegji Heimerer, kurse pjesëtarë të Konzorciumit janë 10 institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare. Institucionet partnerë të këtij projekti janë: Universiteti Publik ‘Kadri Zeka”, RIT Kosovo, Universiteti Jamk (Finlandë), Universiteti i Shkencave Aplikative Metropolia (Finlandë), Universiteti Martin Luther në Halle (Gjermani), Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (Kosovë), Klinika Digjitale (Kosovë), Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (Kosovë), Milky Way Creative (Kosovë), si dhe Univations (Gjermani).