UKZ përmbyll me sukses Vitin Akademik 2023-2024

31 Korrik, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan drejtuar nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, mbajti takimin përmbyllës të vitit akademik 2023-2024, me stafin  e universitetit, ku u theksuan arritjet e shumta të këtij viti.

Në fjalën e tij, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku foli për disa nga sukseset më të rëndësishme të këtij viti akademik. Ai përmendi riakreditimin institucional 5-vjeçar të UKZ-së, që tregon përkushtimin e universitetit ndaj standardeve të larta të cilësisë. Një tjetër arritje e rëndësishme ishte krijimi i Fakultetit të Shkencave Sociale, si dhe akreditimet dhe riakreditimet e programeve të ndryshme që gjithashtu ishin një aspekt kyç i përparimit akademik të universitetit.

Rektori vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me biznese dhe universitete të tjera, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve të shumta dhe në përmirësimin e përvojës studentore. Një arritje tjetër e këtij viti akademik ishte ngritja e UKZ-së në rangimet ndërkombëtare, ku mbrenda 8 mujorit të vitit 2024, sipas ranglistës së njohur botërore “Webometrics”, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan shënon një rritje të shkëlqyeshme duke u ngritur për 4,800 vende më lart krahasuar me matjet e kaluara. Kjo ngritje tregon përkushtimin dhe punën e palodhshme të stafit akademik dhe administrativ për kontributin e tyre në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

“Ky vit ka qenë një periudhë e shkëlqyer për UKZ-në. Jam krenar për të gjitha arritjet tona të cilat i kemi realizuar së bashku, andaj duhet të jemi të përkushtuar për të vazhduar të punojmë bashkërisht për të arritur suksese të mëdha në këtë rrugë të mbarë,” ka thënë në fjalën e tij Rektori Dërmaku.

Gjatë këtij takimi, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku theksoi se këtë vit UKZ është vendosur në planin qeveritar për ndërtimin e kampusit, gjë që do të bëhet me prioritet për investime nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me financim të mbështetura nga Bashkimi Evropian. Kjo është një tjetër dëshmi e rëndësisë dhe ndikimit që ka universitet ynë në komunitet dhe më gjerë.

Rektori Dërmaku ka përmendur si të arritur edhe takimet e rëndësishëm me përfaqësues në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), dhe Ministrinë e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Kosovës, ku  në UKZ do të instaliohet TIKA-Cezeri Lab, i pari i këtij lloji në Kosovë, i cili është me vlerë prej 80,633.00 €.

Në fjalën e tij, Rektori gjithashtu falënderoi të gjithë stafin e UKZ-së për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e universitetit.

Në takim folën edhe prorektorët,  Prof. Dr. Sadik Haxhiu, prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, prorektor për buxhet, financa dhe infrastrukturë, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, prorektore për hulumtime dhe kërkime shkencore, dhe Prof. Ass. Dr. Voglushe Kurteshi, prorektore për zhvillim akademik dhe cilësi. Secili prej tyre dha kontributin e vet në diskutimet mbi arritjet dhe objektivat e universitetit.

Takimi përmbyllës u shoqërua me diskutime dhe reflektime mbi planet dhe objektivat për vitin e ardhshëm akademik, ku rëndësi e veçantë iu dha bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit, duke synuar rritjen e cilësisë së arsimit dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe në përgjithësi zhvillimit të mëtejshëm të universitetit.

Personeli akademik dhe administrativ i UKZ-së shprehën mirënjohjen dhe përkushtimin e tyre për të vazhduar të kontribuojnë për sukseset e institucionit për arritjen e objektivave të përbashkëta.