
Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan morën pjesë në Takimin e Dytë Transnacional (TPM2) të projektit AUREA, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, i cili u mbajt javën e kaluar në Budapest, Hungari, në ambientet e Universitetit Eötvös Loránd (ELTE).
Takimi mblodhi partnerët ndërkombëtarë të projektit nga ESU, ESN, EUA, EUF, ELTE, Universiteti i Gentit (UGENT), Universiteti i Marburgut, si dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me qëllim të diskutimit të progresit të deritanishëm të projektit dhe planifikimit të hapave të ardhshëm.
Nga UKZ në këtë takim morën pjesë Luljete Berisha, U.d. udhëheqëse e Divizionit për Çështje Ligjore dhe njëherësh koordinatore e projektit AUREA nga UKZ, Kosovare Shabani, menaxhere e personelit, si dhe Minire Rexhepi, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun.
Gjatë ditës së parë të takimit u trajtuan çështje që lidhen me menaxhimin dhe koordinimin e projektit (WP1), përfshirë përditësimet mbi raportimin e mesëm, sigurimin e cilësisë dhe menaxhimin e riskut. Po ashtu, u diskutuan aktivitetet e komunikimit dhe shpërndarjes (WP5), me theks të veçantë në përgatitjet për CEEDUCON 2025. Po ashtu një pjesë e diskutimit iu kushtua paketës së punës WP3, ku u shqyrtuan anketat në shkallë të gjerë për institucionet e arsimit të lartë, organizimi i grupeve të fokusit me palë të interesuara kombëtare dhe evropiane, si dhe zhvillimi i Laboratorëve Socialë të Arsimit të Lartë dhe kornizës së faktorëve mundësues.
Dita e dytë e takimit u fokusua në WP4, ku partnerët diskutuan mbi zhvillimin e mjetit të vetëvlerësimit, duke u ndalur në objektivat, audiencën e synuar, metodologjinë e përshtatshme dhe temat kryesore që duhet të adresohen nga ky mjet. Takimi u përmbyll me një seancë reflektimi, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit të vazhdueshëm për zbatimin e suksesshëm të projektit AUREA.
Pjesëmarrja e UKZ-së në këtë takim konfirmon angazhimin e universitetit për forcimin e kapaciteteve institucionale, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kontributin aktiv në iniciativa evropiane që synojnë përmirësimin e cilësisë dhe qeverisjes në institucionet e arsimit të lartë.


“Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë megjithatë vetëm ato të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Arsimin dhe Kulturën (EACEAA), autoriteti dhënës i grantit. As Bashkimi Evropian dhe as autoriteti dhënës i grantit nuk mund të mbahen përgjegjës për to.”
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan