UKZ ka shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16 Shkurt, 2023

Universiteti Publik “Kadri Zeka”  në Gjilan me një program kulturo-artistik ka shënuar Përvjetorin e 15-të të Shtet formimit të vendit tonë, Kosovës.

Fillimisht, kori i UKZ-së, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Drita Kryeziu ka intonuar Himnin e Kosovës dhe atë Kombëtar.

Kurse në fjalën e tij Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Bajram Kosumin, pasi ka uruar të gjithë për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë  se  roli i universitetit, pra edhe i UKZ, në shoqërinë e sotme është më i domosdoshëm se asnjë herë më parë. Shumëkush e sheh universitetin thjeshtë si një mundësi karriere, por e vërteta është shumë më e thellë: universiteti është rruga më e sigurtë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Asgjë më shumë se universiteti nuk na bën konkurrent në tregun global, duke e ruajtur vetveten tonë. Çdo rrugë tjetër është më e pasigurtë dhe e dështuar. Vetëm universiteti dhe nivelet e tjera të shkollimit mund të na bëjnë mendjehapur pa e zhbërë vetveten. Vetëm universiteti dhe nivelet e tjera të shkollimit, mund ta shtyjnë përpara idealin e Rilindjes Kombëtare, idealin e iluminizmit duke e ndërlidhur me idealet e sotme të dinamizmit teknologjik e të globalizmit.

Rektori Kosumi ka porositur të gjithë, stafin akademik, administrativ, studentët dhe të gjithë të tjerët,  që të punojnë së bashku për universitetin, sepse UKZ është gurthemel për shtetin tonë në të ardhmen.

Prandaj ka thënë Rektori Kosumi, urimi më i mirë në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është: ta zhvillojmë UKZ, jo vetëm për studentët tanë, jo vetëm për vete, por me bindjen se UKZ është njëri prej gurëve themeltar në shoqërinë dhe në shtetin tonë të sotëm e të ardhshëm.

Më pas, studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, janë paraqitur në një program modest për të shënuar 17 shkurtin, datën historike të vendit tonë.

Kori i UKZ-së ka përformuar këngën e përgatitur nga Prof. Ass. Dr. Drita Kryeziu, “Dëshmorët e Pavarësisë”.

Më monologun “Gjykimi” të Esad Mekulit, nën përkujdesjen e Prof. Ass. Dr. Flamur Maloku,  është paraqitur studentja e Fakultetit të Edukimit Eriola Maliqi.

Ndërkohë  këngën  “Për mëmëdhenë” e ka përformuar  kori i UKZ-së.

Fjalimi i Rektorit Prof. Dr. Bajram Kosumi ne 15 vjetorin e Pavaresise se Kosoves