UKZ ka shënuar 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

16 Shkurt, 2021

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan për nder të 13-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, datës historike për vendin tonë, ka organizuar ligjëratë me temën: “Rrugëtimi i shtet ndërtimit të Kosovës”, rreth së cilës ka folur Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Bajram Kosumi.

Rektori Kosumi ka thënë se Pavarësia e Kosovës mund të strukturohet në shtatë etapa. Këto etapa ai i ka ndarë me ngjarje dhe me personalitete kyçe të atyre ngjarjeve, duke filluar nga :

  1. Hasan Prishtina dhe fillimi i luftës politike e luftarake për çlirimin e territoreve shqiptare të okupuara nga Serbia/Jugosllavia;
  2. Veprimi i fshehte politik, i quajtur “ilegalja e Kosovës” (Adem Demaçi, Metush Krasniqi etj);
  3. Revolucioni i Vitit 1981;
  4. Formimi dhe aktiviteti i partive politike në vitet ’90 (LDK , PPK etj);
  5. Formimi i UÇK dhe lufta çlirimtare;
  6. Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë/ Bombardimi i Serbisë/ UNMIK;
  7. Shpallja e pavarësisë së Kosovës: 17 shkurt 2008.

Në fjalën e tij Rektori Kosumi ka shpjeguar secilën nga këto etapa, ku ka thënë se secila nga këto etapa mund të krijohet një pasqyrë e qartë e këtij procesi.

Kurse në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë, njëzet e një vjet pas përfundimit të luftës, Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi ka thënë se, falë gjakut, dijes dhe djersës së qindra mijëra burrave e grave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, sot ne jemi të nderuar që e vazhdojmë punën e tyre.

Rektori ka thënë se, sot, Hasan Prishtinë, Adem Jashar e Xhevë Lladrovci është:

–           mësuesi, profesori dhe studenti që e ngritin cilësinë e shkollës fillore, të mesme dhe universitetit;

–           mjeku i përkushtuar për shëndetin e pacientit;

–           gjykatësi dhe prokurori i ndershëm, gardian i paqes e i drejtësisë;

–           biznesmeni që punëson shumë punëtorë dhe prodhon të mira materiale;

–           inxhinieri i IT që e hap perspektivën e Kosovës në botën virtuale;

–           kryetari i komunës që mban përgjegjësi maksimale para qytetarëve;

–           politikani i pakorruptuar;

–           polici dhe ushtari që e kalojnë natën duke u kujdesur për paqen tonë;

–           e reja dhe i riu që e duan Kosovën, edhe atëherë kur ajo nuk I ofron të gjitha ato që ata ëndërrojnë, ka thënë Rektori Kosumi.

Në vazhdim të programit për shënimin e 13- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, studentja e Fakultetit Juridik të UKZ-së, Blendiana Jerliu ka kënduar këngën “Dëshmorët e Pavarësisë”; përgatitur me tekst dhe muzikë të profesores Dritë Kryeziu.

Kurse përmes vargjeve të shkrimtarëve, si: Ali Podrimja, Adelina Mamaqi, Azem Shkreli, Bilal Xhaferi, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Ismail Kadare, Bajram Kosumi, Merxhan Avdyli, studentët e UKZ-së: Arbisë Krasniqi, Alisa Emini, Ensar Ramadani, Jeta Surdulli, Gresa Latifi, Shqipe Mustafa, Alisa Bekteshi, kanë deklamuar vargjet në formë recitali për historikun e Kosovës, përgatitur dhe mbikëqyrur nga profesorja e letërsisë, znj. Nevrije Bislimi-Ismaili, si dhe dy bashkëpunëtoret e UKZ-së, Rina Rasimi e Liridona Mehmeti.

Derisa po ashtu për nder të 13-vjetorit të shtetësisë së Kosovës, studentët e Fakultetit të Edukimit kanë përgatitur një ekspozitë me krijimet e tyre nën udhëheqjen e profesorit të artit figurativ, Ahmet Ibrahimi dhe bashkëpunëtores, Shkurte Ramushi. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 22.02.2021.

Fjalimi i Prof. Dr. Bajram Kosumi per 13 vjetorin e Pavaresise