Në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani, sot Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” znj. Fitore Malaj, së bashku me delegacionin e saj, zhvilloi dy takime të rëndësishme institucionale në Bukuresht, me synim zgjerimin e bashkëpunimit akademik, kërkimor dhe ndërkombëtar të universitetit.
Takimi i parë u zhvillua në Institutin e Ekonomisë Kombëtare të Akademisë Rumune (Institute of National Economy – Romanian Academy), ku delegacioni i UKZ-së u prit nga znj. Carmen-Elena Dobrotă. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe hulumtimeve shkencore. Rektorja prezantoi universitetin dhe përbërjen e delegacionit, duke shprehur interesimin e UKZ-së për krijimin e partneriteteve të reja. Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte z. Arben Sahiti prezantoi angazhimin e universitetit në projekte dhe çështjet që lidhen me studentët, ndërsa udhëheqësi i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Betim Berisha, theksoi rëndësinë e formalizimit të bashkëpunimit përmes një Memorandumi Mirëkuptimi. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së realizimit të hulumtimeve të përbashkëta, veçanërisht në fusha ku Kosova dhe Rumania përballen me sfida dhe problematika të ngjashme, duke krijuar kështu mundësi për shkëmbim të përvojave dhe rezultateve shkencore.
Takimi i dytë u zhvillua në Universitetin Romano-Amerikan (Romanian-American University), ku delegacioni i UKZ-së u prit nga përfaqësuesit e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Erasmus+, si dhe nga Rektori, Prof. Dr. habil. Iliuță-Costel Negricea.
Ky takim shënoi një hap konkret në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, me nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërinstitucionale Erasmus+ KA171, e cila krijon mundësi të reja për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik e administrativ ndërmjet dy universiteteve.
Gjatë takimit, Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, prezantoi një pasqyrë të qartë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke vënë theks të veçantë në ndërkombëtarizimin si një ndër pikat kyçe dhe më të forta të zhvillimit institucional të universitetit. Ndërkaq, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, z. Arben Sahiti, theksoi rolin dhe rëndësinë e UKZ-së në bashkëpunimin ndërkombëtar përmes projekteve të ndërtimit të kapaciteteve (Capacity Building), si dhe mundësitë për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.
Në takimin me udhëheqësen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Lavinia Justina, u diskutuan gjithashtu programet studimore të universitetit, të cilat përfshijnë programe të ofruara në gjuhën angleze, si dhe përvoja e tij në ndërkombëtarizim dhe pranimin e studentëve ndërkombëtarë.
Në këtë takim, z. Betim Berisha prezantoi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit përtej mobiliteteve tradicionale Erasmus+, duke vënë theksin në zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit (Double Degree), aplikimet në projekte të ndryshme ndërkombëtare dhe organizimin e programeve intensive të përziera (BIP). Gjithashtu, u diskutua për mundësitë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në fushën e studimeve të doktoratës, si dhe për krijimin e formave të tjera të bashkëpunimit akademik.
Këto takime shënojnë ndër thellimet e para të bashkëpunimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” me universitetet dhe institucionet e ndryshme në Rumani, duke hapur perspektiva të reja për partneritete institucionale, mobilitete akademike, projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim në kërkime shkencore. Këto iniciativa përbëjnë hapa të rëndësishëm në avancimin e strategjisë së ndërkombëtarizimit të UKZ-së dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik e administrativ.




Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan