U mbajtën provimet pranuese të konkursit plotësues për studimet themelore në UKZ

19 Shtator, 2023

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, janë mbajtur provimet pranuese për aplikantët e konkursit plotësues të studimeve baçelor, për vitin akademik 2023/2024.

Provimi është mbajtur sot nëpër fakultetet ku vendet në afatin e parë nuk janë plotësuar.

Për të parë nga afër këtë proces,  dekanët e Njësive Akademike kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese. Ata janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së provimit pranues të studentëve të rinj, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e UKZ-së, derisa u kanë uruar të gjithë kandidatëve suksese në provimin pranues.

Shpallja e rezultateve preliminare e provimit pranues do të bëhet në tabelat e shpalljeve si dhe në ueb-faqen e universitetit sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë: më së voni deri më datë 20.09.2023, në ora 16:00.

Kandidatët të cilët sipas rezultatit preliminare renditen si kandidatë të papranuar, mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare respektivisht për grupet si në vijim: Ankesat bëhen më së voni deri më datë 22.09.2023, në ora 16:00.

Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues do të bëhet në tabelat e shpalljeve si dhe në ueb-faqen e universitetit, pas shqyrtimit të ankesave sipas grupeve të fakulteteve, bazuar në datat e mbajtjes së provimit pranues dhe atë: më së voni deri më datë 25.09.2023, deri në orën 16:00.