Sot u zhvillua një takim koordinues mes Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) dhe përfaqësuesve të projektit Sustainable Higher Education & Research (SHER), i financuar nga Qeveria e Austrisë. Ky takim është pjesë e bashkëpunimit të ngushtë dhe afatgjatë mes UKZ-së dhe programit SHER, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) të nënshkruar gjatë këtij viti.
Në takim morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me menaxhmentin e lartë të universitetit, përfshirë Prorektorët dhe Dekanët e fakulteteve. Nga ekipi i SHER-it ishin të pranishëm z. Aqim Emurli, Team Leader i projektit, z. Nehat Dervishi, Koordinator Tematik, si dhe z. Lulzim Aliaj, ekspert i programit SHER.
Gjatë takimit u diskutua mbi mbështetjen që SHER do të ofrojë për rishikimin dhe avancimin e kornizës së brendshme ligjore të UKZ-së, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e qeverisjes universitare dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshëm institucional: “Ky bashkëpunim me SHER është një mundësi e jashtëzakonshme për të avancuar kornizën ligjore dhe strategjike të universitetit. Përmes këtij projekti, UKZ synon të sigurojë që politikat, rregulloret dhe praktikat tona akademike dhe administrative të jenë plotësisht të harmonizuara me standardet evropiane të arsimit të lartë.”
Nga ana e tij, z. Aqim Emurli, Team Leader i SHER, theksoi përkushtimin e ekipit për të mbështetur Universitetin Publik “Kadri Zeka” në çdo hap të këtij procesi: “SHER mbetet i përkushtuar të ofrojë ekspertizë profesionale për të ndihmuar UKZ-në në rishikimin e kornizës ligjore dhe zhvillimin e dokumenteve strategjike. Synimi ynë është që universitetet partnere në Kosovë të forcojnë qeverisjen e brendshme, transparencën dhe funksionimin e tyre në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.”
Gjatë takimit u theksua se projekti SHER do të ofrojë asistencë të drejtpërdrejtë në hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Institucional të UKZ-së, si dhe në përgatitjen e rregulloreve të reja të brendshme që lidhen me arsimimin cilësor, etikën akademike, kërkimin shkencor, zhvillimin profesional të stafit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Këto dokumente do të shërbejnë si bazë për funksionimin më efikas të njësive akademike dhe përmirësimin e proceseve të brendshme menaxheriale të universitetit.
Në këtë kontekst, u theksua edhe bashkërendimi i aktiviteteve me projektin EDUFAIR (ERASMUS-EDU-2024-CBHE-STRAND-1, Project No. 101175331), në të cilin UKZ është partner aktiv. Në kuadër të këtij projekti, është krijuar një grup punues i dedikuar për zhvillimin e udhëzuesit praktik për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në arsimin e lartë, ku një pjesë e madhe e grupit punues është edhe pjesë e komisionit nga Projekti EDUFAIR. Kjo nismë synon të promovojë përdorimin e përgjegjshëm, etik dhe inovativ të AI-së në mësimdhënie, kërkim dhe menaxhim akademik, duke ndihmuar UKZ-në të përshtatet me trendet digjitale dhe standardet evropiane të edukimit.
Në vijim, u konfirmua se projekti SHER do të mbështesë edhe përpjekjet e UKZ-së për finalizimin e këtyre dokumenteve strategjike dhe rregullative, përmes këshillimit teknik dhe trajnimeve profesionale. Kjo qasje e integruar mes projekteve SHER dhe EDUFAIR do të garantojë që universiteti të ndërtojë një kornizë të qëndrueshme, moderne dhe të harmonizuar ligjore dhe institucionale, që përfshin edhe fushat më bashkëkohore si transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale në arsim.
Në periudhën e ardhshme pritet organizimi i punëtorive të përbashkëta, takimeve tematikë dhe sesioneve të avancuara të trajnimit, me qëllim finalizimin e procesit të rishikimit të dokumenteve dhe miratimin e Rregullores për AI në UKZ. Këto aktivitete do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e qëndrueshmërisë institucionale, transparencës, inovacionit dhe cilësisë së përgjithshme në arsimin e lartë.
Ky takim përforcon rolin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” si një institucion që synon zhvillimin e qëndrueshëm, modernizimin akademik dhe përfshirjen aktive në projektet ndërkombëtare të arsimit dhe kërkimit, duke e pozicionuar atë si një aktor të rëndësishëm në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.


Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan