U mbajt takim informues me studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike

6 Tetor, 2026

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike organizoi takim orientues me studentët e vitit të parë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes dhe informacioneve të nevojshme për një fillim sa më të suksesshëm të rrugëtimit të tyre akademik.

Gjatë takimit, Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike znj. Aferdita Ibrahimi,  njoftoi studentët me organizimin e studimeve në Fakultet, mënyrën e zhvillimit të ligjëratave dhe ushtrimeve, obligimet akademike, vijueshmërinë, paraqitjen e provimeve dhe çështje të tjera që lidhen me ecurinë e studimeve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua komunikimit institucional dhe përdorimit të platformave universitare, përfshirë emailin institucional, sistemin për menaxhimin e studentëve dhe platformat për qasje në materialet mësimore dhe njoftimet akademike.

Studentët u informuan gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm gjatë semestrit, realizimit të detyrave dhe projekteve, respektimit të afateve dhe zhvillimit të aftësive praktike në fushën e shkencave kompjuterike.

Studentët u njoftuan edhe me mundësitë që Fakulteti ofron gjatë studimeve, si përfshirja në projekte, trajnime, gara, aktivitete profesionale, bashkëpunim me industrinë, mobilitet akademik dhe iniciativa të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e tyre profesional.

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e komunikimit të hapur ndërmjet studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe gatishmëria e Fakultetit për t’i mbështetur studentët në çështjet dhe sfidat që mund të paraqiten gjatë studimeve.

Takimi u përmbyll me pyetje dhe diskutim të hapur me studentët, të cilët patën mundësi të adresojnë çështje me interes dhe të marrin sqarime lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e studimeve.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbetet i përkushtuar që, krahas ofrimit të një arsimi cilësor, të krijojë një mjedis mbështetës, bashkëpunues dhe motivues për studentët që nga ditët e para të studimeve.

Për informata më të detajuara, studentët ftohen të vizitojnë faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, ku mund të gjejnë informata të rëndësishme lidhur me:

* Fakultetin dhe menaxhmentin;

* Stafin akademik dhe administrativ;

* Programet studimore;

* Orarin e ligjëratave dhe grupet e ligjëratave;

* Orarin e konsultimeve dhe provimeve;

* Lajmet dhe njoftimet e fakultetit;

* Projektet dhe aktivitetet e fakultetit.

Për të gjitha informatat e mësipërme, ju lutemi vizitoni faqen zyrtare të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike:
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike – UKZ