U mbajt ceremoni madhështore e diplomimit te studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”

27 Tetor, 2017

Universiteti “Kadri Zeka”  në Gjilan, i udhëhequr nga Rektori  Bajram Kosumi, ka organizuar sot ngjarjen më të madhe e te rëndësishme, atë të diplomimit të studentëve .

Fillimisht, studentët e diplomuar të veshur me uniformën solemne, të prirur nga Dekanët e tyre, ai i Fakultetit të Edukimit, Ekonomik, Juridik dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, kanë parakaluar në sallë  në prani të mysafirëve që ishin të shumtë, për të vazhduar  në tribunën kryesore.

Pastaj, po ashtu solemnisht kanë filluar ti zënë vendet e tyre edhe Rektori, Prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm.

Më pas nën përcjelljen e Korit, është bërë intonimi i Himnit të Kosovës, Kombëtar dhe ai i  Universitetit.

Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë ose që i ka edhe sot  Universiteti “Kadri Zeka”, ka folur Rektori Bajram Kosumi.

Ai ka falënderuar studentët, stafin akademik  e administrativ dhe të gjithë të pranishmit për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e Universitetit në përgjithësi.

Rektori ka thënë se katër vjet mbas themelimit të Universitetit Kadri Zeka, sot jemi mbledhur këtu të kurorëzojmë dhe të gëzojmë për të arriturat e para. “Sot janë këtu me ne 130 studentë të diplomuar. Numri i përgjithshëm i të diplomuarve është 200. Këta janë studentët me fat që kanë marrë të parët diplomën e Universitetit në Gjilan, me emrin e njërit prej heronjve të Kosovës, dijetarit dhe trimit të madh, Kadri Zeka”.

Rektori në fjalën e tij ka thënë se,  “studentët tanë janë model i studentit në nivel të Kosovës, janë të barabartë me studentët në Evropë dhe kjo na bënë shumë krenar, karshi edhe sukseseve të treguara në fusha të ndryshme në të gjitha drejtimet që ka Universiteti “Kadri Zeka”. Jemi të përkushtuar për të ecur përpara me program të qartë të zhvillimit të institucionit tonë dhe këtë do ta arrijmë së bashku. Niveli i studentëve që kemi, niveli i stafit akademik, na bënë të jemi më afër synimeve tona për zhvillim dhe suksese në të ardhmen”, ka thënë pos tjerash rektori Kosumi.

Kurse në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se studentët e këtij Universitetit “Kadri Zeka”, i japin fuqinë akademike, arsimore dhe kulturore dhe Gjilanin e bëjnë qendrën më të fuqishme në regjionin e juglindjes së Kosovës.

“Jam jashtzakonisht i lumtur dhe krenar, që kjo gjeneratë e parë e studentëve të këtij universiteti e bëjnë Gjilanin qendrën më të madhe arsimore dhe kulturore në regjionin e jug-lindjes së Kosovës. Në Universitetin “Kadri Zeka”, nuk janë vetëm gjilanasit dhe Anamorava, por edhe studentët tanë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Kumanova. Besoj shumë se ky universitet do të ketë një shtrirje më të gjerë dhe do të bëhet edhe më atraktiv për të gjithë studentët që jetojnë kudo në trevat shqiptare. Është universitet që ka studim dhe studentët e tij janë të barabartë me studentët kudo në Evropë. Edhe më tutje Komuna e Gjilanit do të vazhdoj mbështetjen e studentëve të UKZ-së, me bursa sikur edhe çdo vjet deri më tani”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Gjithashtu Haziri ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të mos e vonoj vendimin për kampusin e ri universitar, ku Komuna e Gjilani ka ndarë 7.2 hektarë tokë dhe së bashku me rektorin dhe profesorët jemi të gatshëm që të fillojmë angazhimin për ndërtimin e tij.

Edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka përshëndetur këtë ceremoni të organizuar dhe sukseset e arritura të studentëve, duke shprehur gatishmërinë e mbështetjes në forma të ndryshme.

Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga anamorava, me një fjalë përshëndetëse është paraqitur deputeti Ahmet Isufi. Ai ka thënë se ndihet jashtëzakonisht krenar me gjithë këta student të ndritur të cilët do të jenë nesër të gatshëm ti shërbejnë më së miri vendit të tyre, Kosovës.

Ndërsa në emër të gjithë studentëve të pranishmit i ka përshëndetur  Kryetarin e Parlamentit të Studentëve, Adrian Bajrami , i cili po ashtu është pjesë e studentëve te diplomuar të UKZ-së.

Ai ka thënë se është kënaqësi dhe ndjenjë e veçante, por gjithashtu përgjegjësi e lartë që sot tu drejtohet ne cilësinë e Parlamentit të Studentëve dhe rinisë studentore si dy shtylla të përfaqësimit studentor që gjithnjë ishin aty kur ishte interesi i universitetit, ishin aty kur dëgjohej zëri i studentëve!

“Sot, jemi këtu duke përmbyllur një pjesë më të rëndësishme të jetës sonë, pra studimet, periudhë kjo e cila na dha formë si profesionist të së ardhmes, që çdo ditë na dha emocione te veçanta çka vetëm jeta studentore të benë t’i përjetosh”!

Ai ka porositur të diplomuarit që mos ta konsiderojnë këtë ditë të sotme si finish, por ta konsiderojnë si start, sepse gjithë jeta jonë është një rrugëtim pa fund drejt dijes, ka thënë Bajrami.

Në vazhdim, solistja Elona Sadiku, ka interpretuar  këngën: “RRJEDH NE KENGE E LIGJERIME” , në përcjelljen e Prof. Hekuran Bllaca

Pastaj  Rektori Bajram Kosumi, ka ndarë diplomat për  studentët e diplomuar që kanë qenë të dalluar në mësim, dhe për ata studentë të cilët para se të diplomojnë kanë qenë pjesë e programit ERASMUS +.

Edhe Zenun Pajaziti, përfaqësues i familjes së atdhetarit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban Universiteti ynë, u ka ndarë diploma disa studentëve.

Më pas secili Dekan, veç e veç,  ka ndarë  diplomat për secilin studentë të diplomuar.

Krejt në fund u realizua edhe momenti më kryesor, hedhja e kapelave nga studentët e diplomuar.

Shikoni videon e mbajtjes së Ceremonisë:

 

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të rektorit Bajram Kosumi.

Fjala e Rektorit Bajram Kosumi në Ceremonine e Diplomimit

Shkarko