Tryezë diskutimi mes PS të UKZ edhe UMIB në 10-vjetorin e themelimit

10 Mars, 2023

Në javën përmbyllëse të aktiviteteve në shënim të festimit të 10-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Parlamenti Studentor ka organizuar tryezë diskutimi me Parlamentin Studentor të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”,  i cili po ashtu feston dekadën e parë të themelimit.

Gjatë takimit të përbashkët mes dy Parlamenteve Studentore, është biseduar rreth reflektimit mbi atë se çfarë është bërë këto 10 vite në universitetet përkatëse, çfarë të përbashkëta i kanë përcjellë si institucionet e po ashtu edhe strukturat studentore gjatë këtyre viteve.

Gjithashtu është diskutuar rreth sfidave, ku sipas tyre vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet  mësim nxënies, por edhe pjesës së mungesës së ambienteve të duhura për studim efektiv.

Gjatë diskutimeve është folur edhe për partneritetin, se çfarë mund të bëjmë, që të ndihmohen edhe më shumë mes vete studentët, e po ashtu si shqetësim kanë paraqitur edhe faktin e mosinteresimit të studentëve të gjeneratave më të reja për të studiuar.