Në kuadër të përmbushjes së objektivave për ndërkombëtarizim, ngritje të kapaciteteve kërkimore dhe rritje të bashkëpunimit akademik, Fakulteti i Shkencave Sociale të UKZ-së, ka organizuar një trajnim intensiv të fokusuar në hartimin dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare, me theks të veçantë në programet e njohura si Erasmus+ dhe Horizon Europe.
Në këtë trajnim morën pjesë anëtarët e stafit menaxherial dhe akademik të FSHS-së, të cilët patën mundësinë të njihen hollësisht me mekanizmat kompleksë të thirrjeve publike të Bashkimit Evropian.
Trajnimi u organizua nën drejtimin e Prof. Asoc. Dukagjin Leka, me përvojë disavjeçare në projektet ndërkombëtare të UKZ-së si lider dhe partner i shumëfishtë, i cili zbërtheu rrugëtimin e një ideje nga koncepti fillestar e deri te zbatimi në praktikë.
Gjatë trajnimit, u trajtuan shtyllat kryesore të ciklit të projektit, struktura e projekteve dhe mënyrat e aplikimit, njohja me portalin zyrtar të BE-së, identifikimi i problemit dhe analiza e nevojave, arsyetimi i fuqishëm i bazuar në të dhëna empirike, duke adresuar saktë nevojat e grupeve të synuara dhe duke dëshmuar vlerën e shtuar evropiane; formulimi i objektivave të qarta, specifike dhe të matshme, si dhe ndërtimi i matricës së kornizës logjike, si pjesë të projektit; ndërtimi i konsorciumit dhe partneriteti, strategjitë për gjetjen dhe përzgjedhjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, ndarja e balancuar e detyrave dhe rëndësia e diversitetit gjeografik e institucional në konsorcium; përcaktimi i treguesve sasiorë dhe cilësorë që maten gjatë dhe pas përfundimit të projektit për të dëshmuar suksesin e tij; menaxhimi i paketave të punës; strukturimi i projektit në faza të qarta dinamike e kohore, ku përfshihen menaxhimi, zbatimi, sigurimi i cilësisë dhe shpërndarja e rezultateve; hartimi i buxhetit të bazuar në parimet e efikasitetit të kostos, ndarja e fondeve sipas kategorive (shpenzime për burime njerëzore, udhëtime, pajisje, kosto indirekte) dhe rregullat e auditimit financiar të BE-së; impakti, diseminimi dhe qëndrueshmëria; strategjitë për përhapjen e dukshmërinë e rezultateve tek publiku i gjerë dhe komuniteti shkencor, si dhe plani se si do të mbijetojë projekti pas përfundimit të financimit (qëndrueshmëria institucionale dhe financiare).
Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm për FSHS-në në rritjen e numrit të aplikimeve cilësore dhe në pozicionimin e UKZ-së si një partner serioz në arenën e kërkimit shkencor dhe inovacionit akademik në arenën ndërkombëtare. Fakulteti mbetet i përkushtuar që t’i ofrojë stafit mbështetjen e vazhdueshme infrastrukturore dhe administrative për aplikim në projekte ndërkombëtare, mobilitet të stafit dhe studentëve, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan