Studentët e Universitetit ZUG janë takuar me Kryetarin e Komunës se Gjilanit

10 Tetor, 2019

Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit ZUG të Zvicrës të cilët po qëndrojnë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan për një vizitë studimore, sot kanë vizituar Komunën e Gjilanit ku janë pritur nga Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Kryetari Haziri i ka informuar ata për historikun e Gjilanit, traditat, bashkëjetesën mes komuniteteve, sistemin politik, dhe për sfidat e prioritetet që ka Gjilani dhe Kosova në përgjithësi.

Kreu i Gjilanit i është përgjigjur interesimeve të studentëve të pranishëm nga ky Universitet, teksa ka thënë se, në veçanti, kjo komunë është shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës me të gjitha komunitetet.

Haziri i ka falënderuar studentët e Universitetit të Zug për vizitën, duke thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë që studentët e Gjilanit dhe të Zvicrës do të kenë mundësi të mirë për të shkëmbyer përvoja mes vete.

“Ju falënderoj po vizitën dhe vërtetë jemi të gëzuar që studentët e dy universiteteve do të kenë mundësi për të shkëmbyer përvoja mes vete. Është i rëndësishëm fakti se 32 për qind e gjilanasve jetojnë në Evropë dhe shumica në Zvicër. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar në vitet 90’ta si pasojë e diskriminimit të ish-sistemit. Pra, një Gjilan i dytë jeton në shtetet e Evropës. Gjilani është qendër universitare, kulturore dhe qendër e sportit. Jemi komunë multietnike e multireligjioze dhe për neve diversiteti në këtë aspekt është vlerë”, ka thënë, veç tjerash, Haziri.

Ai tha se ndihet krenar me sukseset e Universitetit “Kadri Zeka” në shumë aspekte, derisa theksoi se së bashku po punohet që kampusi universitar ta shohë dritën sa më shpejtë.

Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ka folur profesori Dukagjin Leka, i cili e ka falënderuar kreun e Komunës për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e madhe që u ka ofruar në vazhdimësi.

Gjatë ditës, studentët kanë qëndruar edhe në dy Institucione Parashkollore të Komunës sonë.

Rreth 15 studentë të Universitetit të ZUG në Zvicër që nga e diela kur edhe kanë arritur në Gjilan, janë duke qëndruar dhe nëpër familjet e studentëve të Universitetit tonë, ku njëherësh vazhdimisht janë duke u shoqëruar nga ta nëpër aktivitete e vizita të ndryshme .

Ndryshe kjo vizitë  është si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit  që Universiteti ‘’Kadri Zeka’’ ka me Universitetin  ZUG, në këmbim të mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve.