Studentët e FSHK-së në UKZ-së realizojnë me sukses projektin “Avanco Karrierën”

9 Mars, 2024

Projekti “Avanco Karrierën” u realizua me sukses nga Erletë Baliqi, Eda Rina Shabani, Blinera Maliqi, Ela Nuhiu dhe Çlirimtar Sahiti nën mentorimin e Prof.Asoc.Dr. Artan Dermaku.

Ky projekt inovativ u prezantua në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka”dhe paraqet një platformë të avancuar për ndihmën e studentëve në zhvillimin e tyre profesional.

Përmes një miku virtual, të krijuar me teknologji të fundit të Inteligjencës Artificiale, studentët mund të eksplorojnë dhe të vlerësojnë interesat e tyre.

Duke përdorur “Fuzzy Logics”, ata marrin një udhëzim të qartë mbi fushën e shkencave kompjuterike në të cilën duhet të specializohen. Në vazhdim, ata kanë qasje të lirë në kurset dhe trajnimet e ofruara nga platforma, si dhe mundësinë për t’u aplikuar për pozita dhe praktika profesionale që i ofron Universiteti ynë në bashkëpunim me partnerët tanë të fushës.

Një prej elementeve thelbësore të këtij projekti është mundësia për certifikimin nga korporata të rëndësishme si: Microsoft, Github, IBM, LinkedIn etj., si dhe përfitimi i kredive akademike nga universitetet e njohura në Evropë.

Të gjitha funksionet e aplikacionit tonë web janë krijuar me kujdes dhe ekspertizë nga ekipi i studentëve, duke përdorur njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë studimeve deri me sot.