Studentët e Fakultetit Juridik vizituan Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatën Themelore në Gjilan

11 Dhjetor, 2023

Disa studentë të Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Albulena Hajdari, Prof. Ass. Dr. Valbone Zeqiraj dhe Mr. Sc. Berat Dermaku kanë vizituar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo vizitë është realizuar në kuadër të aktiviteteve “Dita e Gjykatës së Hapur”, organizuar në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Studentët e Fakultetit Juridik të UKK-së u pritën në vizitë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi – Peci. Gjatë prezantimit të saj, gjyqtarja Istrefi – Peci foli rreth historikut të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, organizimit të punës së deritanishme dhe kompetencave kushtetuese të Gjykatës. Ndërsa, gjyqtari Hoxha bëri një elaborim të shkurtër mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ata po ashtu janë informuar mbi veprimtarinë e deritanishme të Gjykatës, rastet me të cilat Gjykata është marrë së fundi, përfshirë të drejtën në jetë si pasojë e dhunës në familje, si dhe mendimet mospajtuese dhe konkurruese të gjyqtarëve,  rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Kushtetutën e vendit tonë, me raportin e Gjykatës Kushtetuese me gjyqësorin e rregullt dhe mekanizmin e kontrollit, me kriteret e parashtrimit të kërkesave nga qytetarët dhe palët e autorizuara për të parashtruar kërkesë, si dhe me zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Studentët po ashtu kanë vizituar edhe Gjykatën Themelore në Gjilan.

Profesoresha Albulena Hajdari  në emër të menaxhmentit të UKZ-së ka falënderuar për pritjen udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, duke thënë se këto vizita janë shumë të mira për studentët që studiojnë për drejtësi, të cilët nga këto takime mësojnë nga afër për punën dhe angazhimin e gjyqësorit në Kosovë.