Shoqata e Matematikanëve të Kosovës vizitoi UKZ-në

5 Mars, 2024

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (KMA) ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Fakultetin e Shkencave Aplikative të Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ). Kryetarja e Shoqatës, Prof. Dr. Valdete Rexhëbeqaj Hamiti, së bashku me anëtarët e Bordit të SHMK, Prof. Armend Shabani, Prof. Valmir Krasniqi dhe Prof. Festim Shkodra, u pritën nga përfaqësuesit e Fakultetit, duke përfshirë Dekanin Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Prodekani Prof. Asoc. Dr. Ekrem Halimi, Prof. Asoc. Dr. Bashkim Dalipi dhe Prof. Merita Emini.

Tema kryesore e takimit ishte Matematika, një fushë e njohur që ka rëndësi të veçantë për zhvillimin shoqëror, veçanërisht në kontekstin e përparimeve të shpejta teknologjike. Diskutimet u përqendruan në aktivitetet e suksesshme të SHMK-së, qëllimet dhe synimet e Shoqatës në promovimin e kësaj fushe të njohurive, e cila është çelësi i zhvillimit të çdo shoqërie.

Po ashtu, SHMK shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me bërthamën matematikore në UKZ, e cila gjithashtu ka arritur rezultate të rëndësishme në programin e Matematikës Arsimore, në hulumtime shkencore, organizimin e Konferencave MathDay, në organizimin e garave për nxënësit në matematikë, si dhe në gara të tjera.

Të gjithë u ndanë të kënaqur dhe me një dëshirë për të vazhduar punën e përbashkët në promovimin e mësimit të matematikës, zhvillimin e aktiviteteve inovative, interesante dhe të rëndësishme, sidomos për të rinjtë tanë.