Rektorja Fitore Malaj ka pritur në takim përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha njësitë akademike të UKZ-së

20 Tetor, 2026

Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, znj. Fitore Malaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha njësitë akademike të universitetit, me të cilët ka diskutuar për çështje me rëndësi për jetën studentore, cilësinë e studimeve dhe avancimin e proceseve akademike.

Gjatë takimit u diskutua për nevojat dhe sfidat e studentëve, përmirësimin e kushteve të studimit, organizimin e procesit mësimor, si dhe për rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit ndërmjet Stafit dhe studentëve.

Rektorja Malaj theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve në proceset që lidhen me jetën akademike, duke vlerësuar rolin e tyre në përcjelljen e kërkesave, ideve dhe propozimeve të studentëve nga të gjitha njësitë akademike. Ajo nënvizoi se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë thelbësorë për adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, për krijimin e një mjedisi akademik cilësor, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë studentët.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e studentëve falënderuan rektoren Malaj për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Ata theksuan se Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i të gjithëve dhe se vetëm përmes angazhimit të përbashkët, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund të çohen përpara proceset dhe të arrihen rezultate në të mirë të gjithë komunitetit akademik.

Studentët shprehën gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në zhvillimin e universitetit, duke vënë në pah rëndësinë e unitetit dhe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen e institucionit.