Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi me rastin e 1 Tetorit, datës që shënon Vitin e Ri Akademik, ka pritur në një takim të përbashkët stafin e UKZ-së. Me këtë rast Rektori ka thënë se këtë vit, Viti Akademik nuk ka filluar për shkak të situatës pandemike COVID-19, i cili na ka çorientuar. “Covidi po vazhdon ta pengojë procesin e studimeve, sa do që ne po provojmë të përshtatemi e të gjejmë zgjidhje dytësore. Për shkak të gjendjes me covid, për shkak të papunësisë së madhe dhe shumë faktorëve të tjerë kulturorë e demografikë, studenti është i demoralizuar nga mësimi e fakulteti. Për shkak të lëvizshmërisë së popullatës së re në Perëndim, për herë të parë sivjet ka një rënie të dukshme të konkurrencës në programet studimore, jo vetëm të UKZ-së por në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, dhe jo vetëm në disa programe, por në tërësinë e tyre ka rënie”, ka thënë Rektori Kosumi.
Ai ka shtuar se, sot duhet të bashkëndjejmë më shumë se kurrë, me universitetin, me UKZ-në, me studentët, me stafin akademik, me administratën dhe me hisedarët e dashamirët e tjerë.
Sipas Rektorit, sot është një gjendje jo e zakonshme për arsimin e lartë në Kosovë. ”Asnjëherë universiteti nuk ka qenë në duart e stafit akademik, jo prej politikës apo buxhetit, por në kuptimin se sa do të tregohet i aftë stafi akademik me rrethanat e krijuara, sepse ne jemi në garë me Universitete globale dhe në zhvillime të reja për të adaptu metodologjitë e mësimdhënies. Nuk ka më universitete klasike, tani jemi pjesë e internetit, globalizmit”, ka thënë Rektori në fjalën e tij.
Rektori ka përmendur edhe procesin e akreditimit. Ai ka thënë se viti akademik 2021/2022 në UKZ do të fillojë me risi, sepse kemi programe të reja të akredituara dhe me këto programe që tani i kemi, po hapim rrugë shumë të mirë për studentët dhe tregun e punës.
Rektori po ashtu ka thënë se orientim i UKZ-së është cilësia dhe përgatitja e studentit për tregun e punës.
Rektori Kosumi në fjalën e tij, ka falënderuar studentët që e kanë zgjedhur dhe po e zgjedhin UKZ-në si alternativë për studime, e po ashtu ka falënderuar edhe ata studentë, të cilët me sukseset e tyre në Evropë e Amerikë, po ia rrisin vleren UKZ-së.
Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan universitetin të jemi sot këtu ku jemi.
Në fund Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka shpërndarë certifikatat për pjesëmarrësit e trajnimit dy ditor me temë: Hartimi i Planit Zhvillimor Individual, organizuar nga Zyra për Zhvillim Akademik dhe Cilësi në bashkëpunim me Prorektorin për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve.
Fjala e Rektorit Prof. Dr. Bajram Kosumi-1Tetor 2021
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan