Rektori Dërmaku ka takuar profesorët misionarë të arsimit gjilanas

22 Nëntor, 2023

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”  Gjilan Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka pritur në takim profesorët, dikur në Shkollën e Lartë Pedagogjike, pastaj në Fakultetin e Edukimit dhe në fund, në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, tanimë në pension Faik Shkodra, Bahtjar Kryeziu, Sabri Tahiri dhe Shefik Haliti .

Ata kanë uruar Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku për zgjedhjen Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, duke thënë se është bërë punë  e vyer që këtij institucioni të arsimit dhe edukimit të lartë ti prijë një profesor kaq i ri, me një kulturë të pasur në njohjen e arsimit në përgjithësi.

Rektori Dërmaku duke falënderuar profesorët për takimin, ka thënë se ju profesorë, që ishit misionar të dritës së ardhmërisë, e që shpërndatë dritë në mendjet dhe shpirtrat e studentëve, jeni përherë të çmuar për kontributin tuaj më sublim dhënë në Fakultetin e Edukimit dhe në Universitetin Publik “Kadri Zeka”. Rektori tha se Ne përherë e çmojmë dhe i kemi parasysh vlerat, tiparet dhe kohën e rëndë kur fati ka dashur që edhe në ato vite të hershme, ju profesorë, keni dëshmuar ndërgjegje të lartë e profesionalizëm të thellë në përgatitjen e studentëve.

Duke i pasur parasysh këto aspirata, atëherë edhe përpjekjet tona janë që të punojmë krahas kërkesave në përputhshmëri me kohën dhe tregun e punës për orientimin e programeve studimore në të mirë të studentëve tanë.