Rektori Bajram Kosumi ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa

15 Tetor, 2020

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, së bashku me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm, ka pritur në një takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafa.

Në këtë takim është biseduar rreth aktiviteteve të tanishme të Universitetit, sidomos rreth procesit të pranimit të studentëve të rinj e ne veçanti atyre nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, për të cilët siç ka thënë rektori Kosumi, janë ofruar vende të mjaftueshme dhe se Universiteti “Kadri Zeka” ofron kuota të veçanta për regjistrimin studentëve në UKZ,  duke pasur parasysh dhe afërsinë e Gjilanit me Luginën.

Nga ana e tij, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Rami Mustafa e ka falënderuar rektorin e Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi për pritjen, ndërsa kanë thënë se nxënësit e Luginës së Preshevës janë mjaft të interesuar për të studiuar në këtë institucion të dijes.

Po ashtu gjatë takimit është biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit të profesorëve të UKZ-së dhe mësimdhënësve të komunave shqiptare në Luginë, në mënyrë që përfitimet e mësimdhënësve të jenë të atij niveli që të kenë një ndikim më të madh në fushë veprimtarinë e tyre.

Rektori  ka thënë se Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, mund të ofrojë resurset e veta akademike dhe profesionale, për trajnimin e kuadrove arsimore që shërbejnë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me qëllim të ngritjes së aftësive të tyre, duke pasur parasysh që njëzet vitet e fundit në një masë të madhe kanë munguar trajnimet dhe format e tjera të ngritjes dhe aftësimit të qëndrueshëm profesional të këtyre kuadrove arsimore.