Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pranuar vendim pozitiv për riakreditimin e programit të studimit “Shkenca Kompjuterike, BSc”, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Vendimi është marrë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), në mbledhjen e 151-të, të mbajtur më 16 qershor 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve për programin përkatës. Sipas këtij vendimi, programi “Shkenca Kompjuterike, BSc” është riakredituar për periudhën pesëvjeçare, me 180 ECTS dhe kuotë prej 200 studentësh.
Riakreditimi i programit për pesë vjet, sikurse edhe në ciklin e kaluar të akreditimit, dëshmon qëndrueshmërinë, relevancën dhe cilësinë e këtij programi studimor. Njëkohësisht, rritja e numrit të kuotave reflekton interesimin e lartë të studentëve për këtë program ndër vite, si dhe nevojat në rritje të tregut të punës për profesionistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe shkencave kompjuterike.
Ky vendim paraqet një arritje të rëndësishme për Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe një dëshmi të punës së vazhdueshme në ngritjen e cilësisë akademike, zhvillimin e programeve bashkëkohore dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike.
Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, theksoi se ky vendim është rezultat i përkrahjes së menaxhmentit të Universitetit, angazhimit të stafit akademik dhe administrativ, si dhe kontributit të të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e procesit të riakreditimit.
“Riakreditimi i programit Shkenca Kompjuterike, BSc, për periudhën pesëvjeçare është konfirmim i përkushtimit tonë për të ofruar arsim cilësor dhe programe bashkëkohore në fushën e shkencave kompjuterike.
Me këtë rast, falënderoj Rektorin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, për përkrahjen, besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të riakreditimit, si dhe stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe të gjithë kontribuuesit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre gjatë këtij procesi.
Fakulteti ynë do të vazhdojë të punojë me përkushtim për avancimin e mësimdhënies, zhvillimin e programeve cilësore dhe krijimin e mundësive të reja për studentët tanë”, u shpreh dekania Ibrahimi.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbetet i orientuar drejt cilësisë, inovacionit dhe zhvillimit të vazhdueshëm, duke synuar të ofrojë programe studimore që i përgjigjen nevojave të studentëve, institucioneve dhe sektorit të teknologjisë në vend dhe më gjerë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan