Prezantohet drafti i Planit Strategjik të UKZ-së për periudhën 2023 – 2028

24 Nëntor, 2023

Grupi punues për hartimin e Planit Strategjik, të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  i themeluar nga Këshilli Drejtues i universitetit që përbëhet nga anëtarët e Këshillit Drejtues, Rektori, Prorektorët, Dekanë të njësive Akademike, Sekretari i Përgjithshëm, përfaqësues të fakulteteve, drejtues të zyrave si dhe përfaqësues nga HERAS+  të cilët ndihmojnë UKZ-në  për hartimin e Planit Strategjik 2023-2028,  prezantuan sot draft dokumentin strategjik.

Ky plan strategjik përmban vizionin dhe objektivat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, për një periudhë pesëvjeçare.

Takimin e përshëndetën rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Kryesuesi i KD-së Dr. Techn Ilir Gjinolli dhe  Nehat Dervishi, udhëheqës i projektit HERAS plus, të cilët kanë dhënë një kontribut të vlefshëm në këtë proces duke ofruar një perspektivë ndërkombëtare në lidhje me vlefshmërinë dhe formatin e prezantimit.

Procesi i hartimit të këtij dokumenti është rezultat i përpjekjeve të një grupi të përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme, të angazhuar në hartimin e Planit Strategjik në përputhje me nevojat dhe sfidat aktuale të universitetit.

Ky Plan Strategjik parashihet të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e universitetit, duke iu përgjigjur sfidave të ndryshme në fushën akademike dhe duke përmirësuar përvojën e studentëve dhe personelit akademik.