Presidenti i Shqipërisë Sh.T.Z. Bajram Begaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

11 Prill, 2025

Me një ceremoni solemne dhe të veçantë akademike, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan i akordoi sot titullin më të lartë nderi,” Doctor Honoris Causa”, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij z. Bajram Begaj.

Ceremonia u mbajt në universitet ku mblodhi personalitete të larta nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorë, akademikë, si dhe profesorë e studentë të UKZ-së.

Fillimisht, Presidenti Begaj u prit në mënyrë solemne nga Rektori Dërmaku dhe stafi i tij. Ai u shoqërua në ambientet e Rektoratit, ku u nënshkrua në Librin Amë të Universitetit, një akt simbolik që i parapriu ceremonisë zyrtare të nderimit.

Në hapje të ceremonisë, pas intonimit të Himnit të Kosovës dhe Himnit Kombëtar, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë që ky titull përfaqëson për institucionin dhe shoqërinë.

“Sot, në këtë ceremoni solemne, Universitetin Publik “Kadri Zeka” ka nderin e veçantë që t’i ndajë titullin “Doctor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky nuk është vetëm një titull formal, ky është një akt mirënjohjeje, respekti dhe falënderimi për një jetë në shërbim të kombit, të dijes dhe të humanizmit. Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe si President i Republikës, keni qenë zëri i qetë, por i vendosur, i kombit tonë. Në momentet më të errëta për Kosovën, kur kishte nevojë për dorën e vëllait, ju ishit aty, jo për lavdi, por për përkushtim, jo për pozicion, por për mision,” ka thënë Rektori Dërmaku në fjalën e tij.

Po ashtu, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, në fjalën e tij ka thënë se populli i Kosovës nuk harron, qytetarët e thjeshtë të Gjilanit ju kujtojnë me zemër, sepse ju ishit aty kur kishte më së shumti nevojë, por edhe në paqe angazhimi juaj ka qenë i vazhdueshëm.

“Ju ishit përkrahës i pavarësisë, i të drejtave tona, i arsimit dhe i zhvillimit institucional. Ju i dhatë Kosovës zë në diplomacinë shqiptare dhe forcë në skenën ndërkombëtare. Sot, ju jeni në vendin tuaj, në Gjilan, në shtëpinë tuaj, në mesin e vëllezërve që i dolët në ndihmë në kohët më të vështira. Në këtë Universitet që mban emrin e heroit Kadri Zeka, ju mirëpresim në tempullin tonë të dijes dhe kujtesës historike. Përmes këtij titulli, ne nderojmë një njeri që mishëron virtytet më të larta të një udhëheqësi modern, njeri të dijes, karakterit dhe përulësisë”, ka thënë Rektori Dëmaku.

Ndër tjerash Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka thënë se, le të jetë ky moment një mesazh për studentët tanë: Po, ia vlen të studiosh. Po, ia vlen të shërbesh. Po, ia vlen të jesh i ndershëm, i përkushtuar dhe njerëzor.

Nndërsa në fjalën e saj Ministrja e Arsimit Shkencës teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci tha se nderimi që sot i bëhet Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, nga një institucion i rëndësishëm arsimor si Universiteti Publik “Kadri Zeka”, është një dëshmi e fuqisë që ka arsimi për të ndërtuar ura bashkëpunimi, respekti dhe uniteti kombëtar.

“Është nder i veçantë për Republikën e Kosovës që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, po nderohet sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan. Ky akt simbolizon jo vetëm respektin për një personalitet të shquar të kombit tonë, por edhe thellimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve tona akademike e shtetërore,” ka thënë Ministrja Nagavci.

Më pas, Prof. Asoc. Dr.  Shpresa Qamili lexoi laudacionin zyrtar për Presidentin Begaj, duke përshkruar kontributin e tij si figurë politike, humane dhe përfaqësues i unitetit mbarëkombëtar.

Pastaj Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka lexoi vendimin e Senatit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, me të cilin Presidentit të Republikës së Shqipërisë i akordohej titulli Doctor Honoris Causa.

Në momentin solemn, të shoqëruar me Himnin Akademik “Gaudeamus Igitur”, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku,  i dorëzoi diplomën e titullit Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij z. Bajram Begaj.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj falënderoi Universitetin për këtë nder të veçantë. Ai tha se marrja e titullit  “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, ka domethënie shumë të madhe dhe nuk mund t’i fsheh dot emocionet. Nga sot lidhja me qytetin dhe Universiteti “Kadri Zeka” është shumë e madhe lidhja me Kosovën, kjo lidhje do të jetë kurdo e kudo, në çdo rrethanë e situatë,  tha presidenti Begaj.

“Universiteti Publik “Kadri Zeka”, mban emrin e birit të shquar të këtyre trevave, patriot dhe luftëtar shumë i madh dhe besoj që emri i tij ndriçon rrugën e universitetit dhe të atyre studentëve që studiojnë këtu. Është një nderë i jashtëzakonshme të marrë këtë titull sot. Vlerësim është jo vetëm një nder personal për mua, por edhe një përgjegjësi si një kujtesë për arsimin dhe për brezat e rijnë që vijnë pas. Nuk mjafton thjesht të kemi më shumë universitete, por na duhen më shumë njerëz të aftë, më shumë shkencëtarë, sipërmarrës të cilët mendojnë për të ardhmen dhe të tjerët. Të punojmë së bashku për një shoqëri më të fortë dhe të ditur për të ardhmen e përbashkët”, ka thënë ndër të tjera Begaj.

Ceremonia u përmbyll me një pjesë muzikore artistike, ku Solistja Rina Kurteshi e shoqëruar me piano nga Flakron Kallaba, interpretuan veprat shqiptare “Pranvera filloj me ardhë” krijim  kompozitorit Tonin Harapi dhe “Margjelo” krijim i kompozitorit të njohur shqiptar, Prenk Jakova, me tekst të Filip Ndocajt.

Në nderim të kësaj ceremonie të veçantë, në oborrin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” u mboll një pishe simbolike nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bajram Begaj, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë znj. Arbërije Nagavci.

 

Kjo pishë është një shenjë kujtese dhe mirënjohjeje, një simbol i jetës, qëndrueshmërisë dhe lidhjes së përhershme mes institucioneve tona dhe vlerave që na bashkojnë.

  

Fjala e Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku

Fjala e Presidentit të Shqipërisë Sh.T.Z. Bajram Begaj “Doctor Honoris Causa” i Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

foto e pare
fund 4
fund 6
fund5
4
5
valmira
kori mire
fjala rektori mire
rektori dhe presidenti
ministrja
shpresa
Dukagjini
presidenti fjala
solistja
pisha1
pisha 2
pisha 3
fund mire
fund1
fund2
fund7
foto grupi 2
foto grupi
foto grupi3
foto f
fundddd
previous arrow
next arrow