Përfaqësues të UKZ-së pjesëmarrës të punëtorisë në kuadër të projektit QUADIC që po mbahet në Lubjanë
7 Qershor, 2022
Në kuadër të projektit QUADIC – Quality development of international cooperation and project management, projekt i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i fituar në programin ERASMUS +, në Lubjanë të Sllovenisë, ka filluar punëtoria katër ditore, gjatë së cilës do trajtohen dhe do mësohet nga përvoja e Universitetit të Ljublanës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, projekteve, transferit të njohurive dhe analizës së tregut, por edhe çështje tjera të ndërlidhura me projektin QUADIC, si takimet e bordit të menaxhmentit të projektit, zyrës së cilësisë së projekteve, zyrës pēr marrëdhënie me publikun, etj.
Në këtë organizim po merr pjesë Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Minire Rexhepi nga zyra për Komunikim me Publikun dhe Diana Kërçeli nga Zyra e Financave.
Projekti QUADIC ka për qëllim të ndërtojë kapacitetin institucional për ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Shqipëri, duke përmirësuar kapacitetin për zhvillimin dhe menaxhimin e projektit përmes ekspertizës ndërkombëtare të vënë në dispozicion nga IAL evropiane me partneritet në këtë projekt dhe shkëmbimit të praktikave të mira midis anëtarëve të konsorciumit.
Kjo do të bëjë që institucionet lokale të arsimit të lartë të angazhohen me besim në iniciativa të ndryshme bashkëpunimi akademik dhe kërkimor në rajon, në Evropë dhe më gjerë.
Partnerë të projektit QUADIC janë: University “Kadri Zeka” GJILAN, Coordinator/ Grant Holder, International Business College Mitrovica, University of Gjakova “Fehmi Agani”, University of Prizren “Ukshin Hoti”, University of Prishtina “Hasan Prishtina”, Universite de Nice Sophia Antipolis, Technical University of Sofia, University of Medicine Tiranë, University of Ljubljana, Heimerer College, University of Peja ‘Haxhi Zeka”, University of Durres “Aleksandër Xhuvani”, University of Mitorvica “Isa Boletini”, European University of Tirana, International University for Business and Technology, University of Korça “Fan S. Noli”, University of Gjirokastra “Eqrem Qabej”, Universita Per Stranieri Di Perugia.