Përfaqësues të UKZ marrin pjesë në takimin e radhës të rrjetit LECU mbajtur në Cyrih të Zvicrës

5 Nëntor, 2021

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Ass. Dr. Shpresa Qamili së bashku me Prof. Ass. Dr. Teuta Agaj, kanë marrë pjesë  në simpoziumin e projektit të rrjetit akademik LECU (Learning Cultures in Universities), i cili u mbajt me 1-3 nëntor në Cyrih të Zvicrës.

Përfaqësueset e UKZ-së gjatë simpoziumit kanë paraqitur punimin shkencor, ‘Managing autonomous learning in higher education-transnational experiences in comparison’  që ka pasur për qëllim prezantimin rreth asaj se si menaxhohet mësimi autonom në Universitetin e Gjilanit, Universitetin e Tiranës, Schwyc University of teacher education dhe University of teacher education Zug, gjithnjë  duke treguar ngjashmëritë dhe dallimet mes Universiteteve.

Projekti “Learning Culture in Universities” (LECU) fokusohet në një shkëmbim mes universiteteve në Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë dhe ka për qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave pedagogjike në arsimin e bazuar në kompetenca mes universiteteve të cilët përgatisin mësuesit e ardhshëm, shkëmbimin e kompetencave profesionale në fushën e mësimdhënies dhe mësimnxënies, si dhe stimulimin e të mësuarit ndërkulturor nëpërmjet dialogut mes profesorëve universitar.

Në fund për të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë certifikata për kontribut dhënien në simpozium dhe punimin shkencor.