Pensionohet profesori Januz Dërvodeli

12 Shkurt, 2020

Prof. Asoc. Dr. Januz Dërvodeli ka arritur moshën e pensionimit, 65 vjet, për këtë Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizuar një takim, ku e kanë uruar profesorin Dërvodeli, me dëshirat më të mira për kontributin e tij prej më se katër dekadash dhënë arsimit e diturisë.

Për kontributin jetësor në arsimin universitar, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” i ka ndarë mirënjohje Prof. Asoc. Dr. JANUZ DËRVODELI, të cilën ja ka dhënë Prorektori për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi. Prorektori Thaqi në emër të Rektorit Kosumi e ka përgëzuar për pensionimin dhe kontributin e dhënë në UKZ, derisa e ka uruar për punën që e ka bërë dhe për rezultatet që i ka arritur gjatë procesit mësimor me kushtet që posedonin, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë e rrethanave historike që vendi i pati nëpër vite.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Merxhan Avdyli, me këtë rast tha se ne të gjithë krenohemi me punën e  devotshme prej mësimdhënësi të profesorit Januz Dërvodeli, dhënë gjeneratave të tëra.

Nxënësi i Profesorit Dërvodeli, tani profesor në UKZ, Mensur Neziri, duke e uruar më të mirën për profesorin, tha se ai na ka mishëruar me vullnet të paepur dhe me një përkushtim të madh në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, andaj ne e kemi model punën e tij.

Vet Prof. Asoc. Dr. Januz Dërvodeli tha se, po e përfundon karrierën me bindje të patundur se kjo është një detyrë me shumë vlera. Profesori Dërvodeli, karriera e të cilit shtrihet në mbi 40 vjet punë si mësimdhënës i lëndës së pedagogjisë, është pensionuar këtë të diele.