Njoftim për Maturantët/ UKZ do të bëjë promovimin e Programeve Studimore

24 Prill, 2026

Të dashur maturantë,

Universiteti Publik “Kadri Zeka” ju fton të merrni pjesë në promovimin e programeve studimore, që cili do të mbahet ditën e hënë, më 27 prill, duke filluar nga ora 12:00, në ambientet e Teatrit të Qytetit.

Ky aktivitet organizohet me qëllim që t’ju ndihmojmë në një nga vendimet më të rëndësishme të jetës suaj, zgjedhjen e drejtimit të studimeve. Gjatë këtij promovimi, ju do të keni mundësinë të njiheni nga afër me programet studimore që ofron Universiteti Publik “Kadri Zeka”, të kuptoni më mirë përmbajtjen e tyre, mundësitë për zhvillim profesional, mundësitë e mobilitetit studentor nëpër Universitetet Evropiane me të cilst kemi marrëveshje bashkëpunimi, si dhe perspektivat e punësimit pas diplomimit.

Përmes prezantimeve të drejtpërdrejta nga drejtuesit e Fakulteteve, do të informoheni mbi kushtet e studimit, infrastrukturën universitare, angazhimin e stafit akademik e administrativ, si dhe mundësitë për përfshirje në aktivitete të ndryshme akademike dhe praktike gjatë studimeve. Gjithashtu, do të keni rastin të bëni pyetje dhe të merrni përgjigje konkrete.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë maturantë nga komunat e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, duke krijuar një mundësi informimi për të gjithë pjesëmarrësit.

Ju inkurajojmë të merrni pjesë në këtë aktivitet dhe të shfrytëzoni këtë mundësi për të marrë informacion të plota dhe të besueshme, të cilat do t’ju ndihmojë të ndërtoni një të ardhme të suksesshme akademike dhe profesionale.

Mirë se vini!