Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, prorektori për buxhet dhe financa Bajram Fejzullahu, Sekretari i Përgjithshëm Vaxhid Sadriu, Dekani i Fakultetit Juridik Sadik Haxhiu dhe stafi tjetër akademik i këtij Fakulteti, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan Venhar Salihu si dhe gjykatësi Ramiz Azizi, kanë pritur në një takim një delegacion nga Polonia. Delegacioni Polak i përfaqësuar nga Filip Czernicki prej Fondacionit të klinikave juridike polake dhe 11 bashkëpunëtorë të tjerë përfaqësues nga Universiteti i Lodz-it, nga Universiteti Jagiellonian – Krakov, nga Universiteti i Varshavës, Universiteti Lazarski, Universiteti Szczecin, Universiteti Opole, Universiteti Kozminski, Universiteti Bialystok, Universiteti SWPS, Universiteti Wrocław, kanë pasur takim pune me përfaqësuesit e UKZ-së në kuadër të projektit ENEMLOS.
Mysafirëve mirëseardhje ju ka dëshiruar prorektori Dukagjin Leka, i cili i ka njoftuar të pranishmit rreth aktiviteteve në UKZ, praktikave të mira, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe në përgjithësi për zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Nërkohë gjatë takimit është biseduar rreth krijimit të klinikave ligjore.
Një takim i njëjtë është mbajtur edhe me studentët e klinikave, ku ka pasur diskutime të ndryshme e kryesisht rreth klinikave juridike.
Universiteti “Kadri Zeka” është partner për Kosovë i projektit ENEMLOS, me gjithsej 15 partnerë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, derisa koordinator është Universiteti i Podgoricës, ndërkaq pjesë e projektit me mbështetjen e UKZ-së, është edhe Oda e Avokateve te Kosovës dhe Gjykata Themelore në Gjilan.
Projekti ENEMLOS ka për qëllim të rrisë punësueshmërinë e studentëve, që aktualisht është një nga çështjet më të rëndësishme në shoqërinë tonë. Njëherësh projekti në fjalë, ka për qëllim edhe krijimin e një klinike juridike të drejtpërdrejtë, e cila do të ofronte këshilla juridike nga studentët, nën mbikëqyrjen e avokatëve dhe mentorëve të kualifikuar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan