Një delegacion i UKZ viziton Universitetin e Vlorës

24 Tetor, 2021

Prorektori për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve, prof. asoc. dr Xhevdet Thaqi, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike prof. asoc. dr. Artan Dërmaku, së bashku me studentët e klubit  të IT-se, KIT të UKZ-së, qëndruan në një vizitë pune në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.

Prorektorin Thaqi dhe Dekanin Dërmkau janë pritur nga Rektori i Universiteti të Vlorës prof.dr. Roland Zisi me bashkëpunëtorët e tij, zv Rektoren prof.asoc.dr Frosina Londo, Drejtoren e Komunikimit dhe burimeve njerëzore Eloina Tozaj dhe prof.dr. Eva Qipi drejtore e RDC- Regional Development Center.

Rektori Roland Zisi i njoftoi pjesëmarresit e UKZ-së me të arriturat e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, synimet për zhvillimet në të ardhmen dhe organizimin e arsimit cilësor në Universitetin e Vlorës. Rektori Zisi, theksoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Universitetin “Kadri Zeka” duke dhënë përkrahjen e plotë në mbështetjen e të gjitha aktiviteteve të përbashkëta si në shkëmbimin e studentëve  dhe stafit akademik, organizimin e përbashkët të konferencave dhe ngjarjeve tjera shkencore, redaktimin dhe përgatitjen e përbashkët të revistave shkencore, aplikimin e përbashkët në projektet e programit Erasmus+ dhe programeve të tjera.

Delegacionin e UKZ-së e ka pritur ne takim edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore prof. Dr Hajdar Kicaj dhe Drejtoresha e Departamentit te Shkencave Kompjuterike dr Eljona Proko, të cilët e njoftuan Prorektorin Thaqi dhe Dekanin Dërmaku për organizimin e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore, strukturën e programeve studimore, stafin akademik dhe studentet, duke prezantuar një pasqyrë të synimeve për zhvillim në të ardhmen. Prorektori Thaqi, po ashtu bëri një prezantim të UKZ, duke vënë theksin në zhvillimet dhe sukseset e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit të Shkencave Aplikative, organizimin e Klubeve të studentëve etj. Po ashtu pjesëmarrësit e takimit u pajtuan për një organizim të përbashkët të Konferencës shkencore në Dhjetor të 2021, dhe një varg të aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet dy universiteteve tona.

Prorektori Thaqi dhe Dekani Dërmaku morën pjesë në aktivitetet e organizuar nga studentët e Departamentit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Vlorës dhe Klubit të Studentëve të UKZ-së KIT.