Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi së bashku me Prorektorët, Dekanët, Stafin Akademik, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryetaren e Parlamentit Studentor, në mënyrë solemne kanë pritur studentët e rinj me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2022/2023.
Me këtë rast Rektori Kosumi u ka dëshiruar mirëseardhje studentëve të rinj, duke shprehur bindjen se ata që nga dita e parë do të angazhohen me intensitet të plotë për të nxënë dijet e reja në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.
Rektori Kosumi ka thënë se gjatë rrugëtimit në Universitet, studentët do të hasin edhe në vështirësi, por ka porositur ata që asnjëherë të mos dorëzohen, sepse vetëm atëherë do të arrini suksesin e synuar.
Po ashtu Rektori Kosumi u ka uruar punë të mbarë në këtë vit të ri akademik gjithë stafit, duke kërkuar nga ta angazhim dhe përkushtim të mëtutjeshëm në punë me qëllim të rezultateve sa më të mira.
Kurse Sara Keqmezi, kryetare e Parlamentit Studentor, pasi ka uruar të gjithë për fillimin e vitit të ri akademik, ka thënë se kjo ditë është e veçantë për studentët e sidomos për ata që sot nisin rrugëtimin studentor. Ajo ndër tjerash ka thënë se Parlamenti Studentor (PS) do të jetë i hapur për të gjithë studentët.
Paraprakisht Drejtues të Fakulteteve, atij të Edukimit, Fakulteti Juridik,Fakulteti Ekonomik, Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit të Shkencave Aplikative, së bashku me stafin e rregullt akademik të Universitetit “Kadri Zeka”, nëpër sallat e caktuar janë paraqitur para studentëve që për herë të parë janë pjesë e Universitetit, duke inkurajuar ata që së bashku do të punojmë që Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ta shpijmë drejt sukseseve edhe më të mëdha.
Fjala e Rektorit Prof. Dr. Bajram Kosumi me rastin e fillimit te vitit akademik 2022-2023
Copyright © 2017 Universiteti KADRI ZEKA Gjilan