Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan u përurua vepra “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër”. Ky organizim është bërë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës. Promovimin e kësaj vepre e ka mbështetur Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan.
Gëzim Tosuni,u.d. prorektor për Çështje Financiare në Universitetin “Kadri Zeka”, në fjalën e tij të rastit uroi që kjo vepër të jetë vërtet vizionare, lidhur me atë se çfarë duhet bërë me Preshevën, Bujanocin dhe Medvexhën. Ai ka thënë se si Universitet jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunime në interes të vlerave letrare, kulturore e shkencore.
Kurse, Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, është paraqitur me kumtesën e tij. Ai ka deklaruar para të pranishmëve se ky promovim i veprës kushtuar trevave të Luginës së Preshevës është fryt i përpjekjeve të pareshtura të një qarku të rëndësishëm kulturor që vepron në terrenin e objektit tonë studimor, andaj aktivitetet e shumta kulturore-shkencore, tashmë janë bërë pjesë e literaturës studimore, ndonëse ka patur raste kur është punuar në kushte të vështira.
Në ndërkohë u lexuan edhe dy kumtesa të tjera, njëra nga Prof. Dr.Bahtjar Kryeziu, ndërsa tjetra nga Prof. Dr. Veton Zejnullahu.
Vepra, “ Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër” ka të bëjë konkretisht me Luginën përfshirë të gjitha fushat e jetës, ku trajtohen tema nga trevat e Kosovës Lindore, si: të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe pozita aktuale juridike e kësaj hapësire, aspekte gjeostrategjike, pastaj tema që ndërlidhen me historinë, trashëgiminë kulturore, gjuhësinë, letërsinë, arsimimin, informimin, shëndetësinë, ekonominë, turizmin, arkitekturën, por ka edhe tema ku trajtohen raportet e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me hapësirat e tjera etnike shqiptare etj.
Gjatë përurimit të veprës kushtuar Luginës, fjalë rasti mbajtën personalitete të shquara shkencore të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan