Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është mbajtur një sesion informues për mundësitë e studimit dhe bursave në Gjermani, i organizuar për studentët që janë të interesuar të vazhdojnë studimet në universitetet gjermane.
Sesioni informues u udhëhoq nga znj. Catalina Heine, përfaqësuese nga Ambasada Gjermane, e cila prezantoi mundësitë e ndryshme për studime dhe programe bursash që ofrohen për studentët nga Kosova. Ajo foli për sistemin e arsimit të lartë në Gjermani, cilësinë e universiteteve gjermane dhe për avantazhet që kanë studentët ndërkombëtarë që zgjedhin të studiojnë atje.
Një theks i veçantë gjatë prezantimit iu kushtua programeve të bursave, të cilat u ofrojnë studentëve mbështetje financiare për të ndjekur studimet në Gjermani. Studentët u informuan për bursat e ndryshme që mbulojnë shpenzimet e studimit, përfshirë tarifat universitare, shpenzimet e jetesës, sigurimin shëndetësor dhe në disa raste edhe shpenzimet e udhëtimit.
Në sesion u prezantuan gjithashtu edhe programet e bursave të Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD), të cilat konsiderohen ndër programet më të rëndësishme për mbështetjen e studentëve ndërkombëtarë. Përmes këtyre programeve, studentët mund të përfitojnë bursa për studime master, doktoratë, si dhe për shkëmbime akademike afatshkurtra.
Në lidhje me këto programe, z. Adrian Ramabaja, ligjërues i DAAD në Universitetin e Prishtinës, prezantoi në detaje mënyrën e aplikimit, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët dhe mundësitë që ofrohen për studentët e Kosovës. Ai theksoi se bursat e DAAD-it janë një mundësi shumë e mirë për studentët që kanë rezultate të mira akademike dhe dëshirojnë të zhvillojnë më tej karrierën e tyre në një mjedis ndërkombëtar.
Gjatë sesionit, studentët patën mundësi të marrin informacione konkrete rreth procedurave të aplikimit, afateve për aplikim, kërkesave për njohjen e gjuhës dhe dokumentacionit të nevojshëm për aplikim në universitetet gjermane dhe në programet e bursave.

Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan