Në UKZ u mbajt ligjërata “Komunikimi i qasshëm – Qasja Easy to Read”

23 Tetor, 2026

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt ligjërata me temë “Komunikimi i qasshëm – Qasja Easy to Read”, e dedikuar për studentët, stafin akademik e administrativ dhe profesionistë të fushave përkatëse.

Ligjërues i aktivitetit ishte Arben Keka, ekspert në arsimin gjithëpërfshirës dhe komunikimin e qasshëm, i cili prezantoi parimet dhe rëndësinë e përdorimit të gjuhës së qartë, të thjeshtë dhe të kuptueshme për të gjithë.

Gjatë ligjëratës u trajtua qasja “Easy to Read” (Lexim i lehtë), e cila synon që informacioni të jetë më i kuptueshëm dhe më i arritshëm, veçanërisht për personat që mund të kenë vështirësi në kuptimin e teksteve të ndërlikuara.

Pjesëmarrësit u njohën me mënyrat se si tekstet, udhëzimet dhe informacionet mund të hartohen në një formë më të qartë, duke përdorur fjali të shkurtra, fjalor të kuptueshëm dhe strukturë të thjeshtë të informacionit.

Në fokus të diskutimit ishte edhe komunikimi gjithëpërfshirës dhe krijimi i mundësive të barabarta, me theks të veçantë në qasjen në informacion, arsimim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara.

Në kuadër të aktivitetit u prezantuan edhe materiale praktike në gjuhë të lehtë, përfshirë udhëzues që ofrojnë informacione të qarta për përgatitjen dhe fillimin e një vendi të ri pune, rregullat në vendin e punës, komunikimin me klientët dhe mënyrat e kërkimit të mbështetjes.

Ligjërata kishte për qëllim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e komunikimit të qasshëm, arsimit gjithëpërfshirës dhe respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës në institucionet arsimore dhe shoqëri.