Në UKZ është përuruar libri “Adhuruesit e kulturës evropiane” i autorit Shefik Shkodra

16 Mars, 2019

Është përuruar libri “Adhuruesit e kulturës evropiane” i autorit Shefik Shkodra, ngjarje kulturore kjo e mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Ky libër i autorit Shefik Shkodra është çmuar lart nga kritikët e artit letrar.

Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, duke folur për librin më të ri të Shefik Shkodrës, ka thënë se fokus i interesimeve të autorit janë Gijom Apolloner, shkrimtar frëng dhe Faik Konica, figurë emblematike shqiptare.  Sipas Matoshit, Shkodra shkoi një hap më tej, përtejkombëtar dhe ai flet në kontestin evropian në marrëdhëniet në mes Konicës dhe Apollonerit, duke portretizuar vlerat artistike të shkrimtarit frëng që lëviz nga syrealizimi, kubizmi e deri te dadaizmi. Shkodra atë e përshkruan si shkrimtar original dhe ky libër përfaqëson një përpjekje për t’a portretizuar këtë personalitet. Në këtë libër, Shefik Shkodra flet edhe për marrëdhëniet e Konicës me Apollonerin, të cilët bashkëpunuan në revistat e tyre dhe që shkëlqyen në metropolet e Evropës dhe që të dy janë mjeshtër të penës.

“Autori flet edhe për vlerat dhe trashëgiminë kulturore të Faik Konicës, sidomos ato të paraqitura në revistën e tij “Albania”, që ishte një tribunë ku rriheshin temat që kishin të bënin me shqiptarët”, ka thënë Hysen Matoshi, që këtë libër e cilësoi dëshmi shkencore për punën e Konicës, të cilin poeti frëng Gijom Apolloner e kishte cilësuar “Konica, enciklopedi që ecën”.

Mehmetali Rexhepi, studiues, tha se me këtë libër Shefik Shkodra spikati gjithanshëm Apollonerin dhe Konicën.

“Shefik Shkodra mbetet përjetësisht i lidhur me Rilindjen Kombëtare dhe merret me figurën e Faik Konicës, të cilën e sheh nga disa këndvështrime. Ai flet për ngjashmëritë dhe veçantitë e Konicës dhe Apollonerit”, tha ndër të tjera në vështrimin e tij, Mehmetali Rexhepi, sipas të cilit Shkodra përmbushi kureshtjen e kamotshme për krijimtarinë e Konicës. Sipas Rexhepit, ky libër ka interes për shumë arsye.

Mehmetali Rexhepi, ka shtuar se vepra “Adhuruesit e kulturës evropiane” i autorit Shefik Shkodra, ka stil dokumentar, ka fakte e dëshmi, por Shefik Shkodra nuk i shmanget stilit poetic. Ai shpalosi të panjohura të të dy miqve të kulturës evropiane. Për Rexhepin, Faik Konica mbetet minierë e pashterur edhe për brezat tjerë.

Lidhur me librin foli edhe poeti, prozatori e studiuesi Xheladin Mjeku, sipas të cilit Shkodra në mënyrë të denjë skalit portretet e dy kolosëve evropianë. Sipas tij, Apolloner dhe Konica mbeten emra të njohur në kulturën evropiane. Konica shquhet për botimin e revistës “Albania”, që ishte e nivelit evropian, kurse Konica e Apolloner kishin korrespondencë 10- vjeçare. Shefik Shkodra me këtë libër shpalosi figurat e dy kolosëve që i bëjnë nder kulturave të dy popujve.

Vetë autori i librit, Shefik Shkodra, pasi ka falënderuar pjesëmarrësit e referuesit, foli se si në Shqipëri dhe në Kosovë u fshi vepra e Faik Konicës, gjatë sistemit monist, por që ajo u risoll pas viteve të nëntëdhjeta. Për Konicën tha se ishte rilindës i ndaluar, kurse me këtë libër ai ka dashur të jap një kontribut modest, libër që e ka ndërtuar prej dy personazheve. Sipas Shkodrës, Konica ishte i adhuruar nga miqtë e tij. Konica e Apolloner e njihnin njëri-tjetrin në pikëpamje kulturore.

“Me revistën “Albania”, Konica afirmoi gjuhën, kulturën e çka jo tjetër shqiptare. Ai gjithashtu bëri polemikë me studiues të shumtë evropianë. Ishte stilist i veçantë i kohës. Luftoi për bashkim e për pavarësi, ishte linguist e ndërtues i gjuhës standarde shqipe”, tha Shefik Shkodra, autor i librit “Adhuruesit e kulturës evropiane”.