Në UKZ do të organizohet testimi për Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo 2022”

18 Mars, 2022

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht në Fakultetin e Shkencave Aplikative, programi Matematikë Arsimore, Instituti ATOMI, me përkrahje nga Ministria e Arsimit , Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit  (MAShTI),  me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF),  organizon Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo 2022 – Math Kangaroo Contest – Kosovo.

Ky organizim i programit Matematikë Arsimore në UKZ, është mjaft i rëndësishëm, për të promovuar një perceptim pozitiv të matematikës në shoqëri.

Gara “Kangaroo” edhe këtë vit u jep mundësi testimi të gjithë nxënësve nga klasa e 2-të deri në klasën e 12-të.

Gara “Kangaroo” përbëhet nga një test i matematikës për të gjithë nxënësit e arsimit para universitar (sipas moshave). Gara “Kangaroo” organizohet në të njëjtën ditë në mbarë botën dhe në të marrin pjesë për çdo vit mbi 6 milionë nxënës nga rreth 80 shtete të ndryshme të botës.

Problemet/detyrat në garën “Kangaroo” nuk janë probleme standarde të librave shkollorë dhe vijnë nga një larmi e madhe temash. Përveç ideve frymëzuese, këmbënguljes dhe kreativitetit, ato kërkojnë imagjinatë, aftësi themelore llogaritëse, të menduarit logjik dhe strategji të tjera për zgjidhjen e problemeve.